-1.4 C
New York
Saturday, December 21, 2024

Buy now

Aktakuza për terrorin në Banjskë: Radoiçiçi ishte në gjendje gatishmërie për të sulmuar policinë gjatë protestës së majit në Zveçan

- Advertisement -

Në bazë të video-incizimeve të regjistruara nga dronët e konfiskuar, në ditën e protestës së dhunshme të serbëve më 29 maj 2023 në Zveçan – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, grupi që edhe kreu sulmin e armatosur në fshatin Banjskë pas tre muajsh, ka qenë në gjendje gatishmërie në pjesën serbe të kufirit për të sulmuar Policinë e Kosovës.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, duke përfshirë edhe ndaj kryebanditit serb, Millan Radoiçiç, përgjegjës për organizimin dhe udhëheqjen e sulmit ndaj policisë në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku, më 24 shtator 2023. Megjithatë, në bazë të aktakuzës, një sulm i njëjtë ndaj policisë u përgatit edhe më 29 maj.

“Nga fotot që janë gjetur në këtë dron, ka rezultuar se në këtë lokacion janë bërë fotografi, ku shihet Radoičić me një grup të personave të veshur me uniforma ushtarake dhe të pajisur me armë të ndryshme, në gjendje gatishmërie për të ndërmarrë sulm të armatosur kundër Policisë së Kosovës në rast të ndërhyrjes së Policisë së Kosovës”, thuhet në një pjesë të aktakuzës, shkruan Albanian Post.

Kjo gjendje e gatishmërisë, në bazë të aktakuzës, ka qenë parapërgatitje për kryerjen e sulmit në protestën e 29 majit, në të cilën protestuesit e dhunshëm serbë, duke përdorur armë, mjete shpërthyese, bomba djegëse dhe mjete të forta, sulmuan ushtarët e NATO-s në Kosovë (KFOR), ku për shkak të përleshjeve që pasuan atëherë, rreth 100 prej tyre u plagosën rëndë.

“Në të njëjtën ditë është raportuar për të shtëna me armë zjarri në zonën malore, në afërsi të Kuvendit Komunal të Leposaviqit, që korrespondon me lokacionin ku grupi i Radoičić kanë lëvizur të armatosur dhe të uniformuar. Po ashtu, njëri prej këtyre dronëve është përdorur edhe në ditën e sulmit më 24 shtator 2023 për monitorimin dhe vëzhgimin e njësive policore”.

Radoiçiç besohet se vazhdon të jetë i lirë në Serbi, ndonëse nuk ka ndonjë informacion zyrtar, pavarësisht thirrjeve të bashkësisë ndërkombëtare që ai të vihet para drejtësisë për agresionin e kryer në veriun e Kosovës. Ai është në listën zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), ndërsa vazhdon të jetë në kërkim edhe nga agjencia ndërkombëtare e policisë – INTERPOL.

Ndryshe, tensionet në veri të Kosovës kanë nisur më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të katër komunave veriore – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale mes kundërshtimit të serbëve lokalë që pastaj shpërtheu në dhunë duke lënduar rëndë pjesëtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit