Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për politizim të drejtësisë, duke reaguar pas deklaratës së ministres në detyrë Albulena Haxhiut lidhur me bastisjen në Ministrinë e Bujqësisë.
“Në vend që të lejojnë drejtësinë të bëjë punën e saj, krerët e Vetëvendosjes po e politizojnë çdo hetim që prek njerëzit e tyre. Albulena Haxhiu e paska cilësuar bastisjen në Ministrinë e Bujqësisë si ‘plan për të dëmtuar Kurtin’,” ka shkruar Deliu në një postim në Facebook.
Ajo përmendi se e njëjta qasje ishte përdorur nga kryeministri i dorëhequr Albin Kurti edhe në rastin e Nagip Krasniqit, të cilin ai e kishte mbrojtur publikisht pavarësisht aktakuzës.
“E njëjta qasje u përdor nga Kurti edhe në rastin e Nagip Krasniqit, për të cilin doli në mbrojtje pavarësisht aktakuzave. Kur mbrohej Martin Berishaj, përmendej madje edhe “fushatë e egër me ndikim serb”. Kjo qasje nuk ka të bëjë me drejtësi, ka të bëjë me mbrojtje politike dhe frikë nga përgjegjësia”, shkroi tutje Deliu.