Prokuroria Themelore në Prizren ka lëshuar një komunikatë për aksionin e sotëm që u zhvillua në gjithë territorin e Kosovës nën dyshimin për keqpërdorime në Byronë Kosovare të Sigurimeve.
Prokuroria thotë se janë arrestuar 39 persona të dyshuar, janë sekuestruar 1.300.886 euro në xhirollogari bankare, të holla kesh 23.700,00 Euro, ari, aksesor, orë dore, dy armë zjarri, pajisje elektronike, kontrata dhe ujdi.
Ata dyshohet se i kanë shkaktuar dëm BKS’së 1 milion e 43 mijë euro.
“Të pandehurit në vazhdimësi, në kundërshtim me rregullat dhe procedurat e brendshme të Byrosë Kosovare të Sigurimit, pa dokumentacion mbështetës, me dokumente të falsifikuara, me transaksione fiktive, të dëmtuarës i kanë shkaktuar dëm material në shumën prej një milion e dyzetë e tre mijë e dyqind e dyzetë e tetë (1.043,248) euro. Me këto veprime ekziston dyshimi i arsyeshëm në kryerje të veprave penale “Keqpërdorimi i besimit” nga neni 330, veprën penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike” nga neni 284, veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 390 si dhe veprën penale “Keqpërdorimi i besimit” në ndihmë nga neni 330 të KPRK-së. “
“Në hetime kanë qenë të përfshirë dyzetë e shtatë (47) persona në cilësinë e të pandehurve, përfshirë një (1) person juridik, të pandehurit e arrestuar, gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh dhe brenda afatit ligjor për të njëjtit Prokuroria do të parashtroj kërkesë për caktim të masës për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë. Në këtë aksion kanë qenë të përfshirë 8 Prokurorë të Shtetit, si dhe rreth 400 zyrtarë policorë. Prokuroria Themelore në Prizren, mbetet e përkushtuar maksimalisht në luftimin e dukurive të tilla të kundërligjshme.





