Mefail Shkodra është njëri nga dy personat e arrestuar nën dyshimet për fajde në Gjilan të premten, ka mësuar Paparaci nga burime brenda organeve të rendit.
Shkodra, dyshohet për përfshirje në veprat penale të fajdesë dhe detyrimit.
Ai, bashkë me një të arrestuar tjetër, dyshohet se i kishin shkaktuar dëme materiale në vlerë prej 600 mijë eurove një viktime.
Shkodra është përkrahës i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Albin Kurti, bazuar në aktivitetin e tij në rrjetet sociale.
Në dhjetor të vitit 2022, ai kishte marrë pjesë në një ceremoni ku të pranishëm ishin edhe kryeministri Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani.
Në një fotografi të cilën e ka publikuar në profilin e tij në Facebook, ai është shfaqur krah për krah me Kurtin dhe Osmanin.
Në të njëjtën ngjarje, ai ishte fotografuar krah për krah edhe me Përparim Ramën, kryetarin e Komunës së Prishtinës.
Policia tha sot se personat e arrestuar në Gjilan janë hetuar tash e disa kohë.
“Gjatë hetimit të këtij rasti janë arrestuar dy persona të dyshuar, një mbetet në kërkim policorë, si dhe janë gjetur prova se të dyshuarit dyshohet se kanë kryer veprat penale të fajdes dhe detyrimit për të cilat janë hetuar. Personat e arrestuar dyshohet se në këtë rast kanë ushtruar presion dhe kërcënime ndaj viktimës me qellim të marrjes së interesit nga veprimtaria e fajdes dhe si rezultat i veprimeve të kundërligjshme personat e dyshuar i kanë shkaktuar dëme materiale viktimës në vlerën mbi 600.000 euro”, thuhet në njoftim.
Gjatë operacionit policor në cilësi të provave materiale thuhet se janë sekuestruar tri vetura, motorë sportivë, armë dhe municion, kartëmonedha euro, dokumente të ndryshme si dhe dëshmi tjera materiale të cilat do të përdoren në procedurën penale ndaj të dyshuarve.
Bazuar në të dhënat publike në regjistrin e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), rezulton se Mefail Shkodra ka qenë pronar i një biznesi të shit-blerjes së veturave. Biznesi ishte regjistruar nën emrin “Autoo – Shkodra Sh.P.K.” në vitin 2018. I njëjti biznes është shuar para disa mujave.