Home Lajme Aksioni i Krimeve Ekonomike: Biznesmeni Pulaj dyshohet për evazion fiskal

Aksioni i Krimeve Ekonomike: Biznesmeni Pulaj dyshohet për evazion fiskal

0
Aksioni i Krimeve Ekonomike: Biznesmeni Pulaj dyshohet për evazion fiskal

Feim Pulaj, një afarist nga Zvicra i cili ka investuar në Kosovë, dyshohet për shmangie nga tatimi në vlera milionëshe.

Pula është një nga personat e përfshirë në një hetim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë nën dyshimet për shmangie nga tatimi dhe falsifikim të dokumenteve, raporton Paparaci.

Siç ka marrë vesh Paparaci, Departamenti për Krime Ekonomike i Policisë së Kosovës ka kryer bastisje në objektin e ATK-së në lagjen Arbëria të Prishtinës dhe në Prizren.

Feim Pulaj, me origjinë nga Prizreni, dyshohet se i është shmangur tatimeve deri në 3 milionë euro përmes hotelit luksoz në Vërmicë të Prizrenit ‘Lakeside’.

Paparaci, ka mësuar se hetimet ndërlidhen edhe me zyrtarë të ATK-së për mashtrim në detyrë.

Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, aksioni ka nisur mëngjesin e së martës.

Zëdhënësja e Prokurorisë në Prishtinë, Laureta Ulaj tha se hetimet po kryhen në drejtim të veprave penale “Mashtrimi në detyrë”, “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin” dhe “Shmangia nga tatimi”.

“Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, njofton se nën udhëheqjen e kësaj prokurorie, më konkretisht nga Departamenti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, në koordinim të plotë me Policinë dhe pas aprovimit të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake, është duke u zhvilluar një aksion që nga mëngjesi, përfshirë disa lokacione në nivel në Kosovës”, tha Ulaj të martën në një përgjigje me shkrim për Paparacin.

Zëdhënësja e Prokurorisë tha se hetimet përfshijnë “persona zyrtarë e qytetarë”.

Ajo tha se Prokuroria Themelore në Prishtinë do t’iu njoftojë me kohë për zhvillimet nga ky aksion, pasi të mbarojë i tëri.

Kush është Feim Pulaj?

I dyshuar për shmangie nga tatimi, Feim Pulaj është një afarist me origjinë nga Prizreni me veprimtari edhe në Zvicër.

Pas rikthimit nga Zvicra në Kosovë, Pulaj ka hapur një sërë biznesesh me veprimtari të ndryshme: nga hoteleria te telekomunikacioni.

Pulaj është pronar i ‘Lakeside AG’, e cila menaxhon Hotelin Lakeside në Vërmicë të Prizrenit. Ky hotel është themeluar në vitin 2019 dhe bazuar në të dhënat publike në Agjencinë për Regjistrimin e Bizeneve (ARBK) ka kapital prej 15 milionë eurosh.

Në vitin 2020, Feim Pulaj i përvetësoi 100 për qind të aksioneve të kompanisë telekomunikuese “Advan Tech”.

Siç shkruante portali Front Online, krahas aksioneve, ai trashëgoi edhe një kontratë, të cilën biznesi në fjalë para se ky ta blente e kishte lidhur me Telekomin e Kosovës.

Bëhet fjalë për një marrëveshje, sipas të cilës të dyja palët pajtoheshin të ofronin shërbime të përbashkëta kabllore, interneti e telefoni për 7 vjet.

Ujdia që u nënshkrua më 6 dhjetor të 2019-s nuk u zbatua kurrë nga ana e Telekomit. Kësisoj, në vitin 2021 ai e kishte ‘kërcënuar’ Telekomin me zgjidhje të kontestit mes tyre në Arbitrazh.

Exit mobile version