21 C
New York
Sunday, October 19, 2025

Buy now

Aksioni i gjerë në veri: Shtatë persona të intervistuar për vrasjen e zyrtarit të EULEX-it më 2013, gjenden edhe armë

Me të çelë mëngjesi i 19 shtatorit 2013 rrugës për në pikëkalimin kufitar të Jarinjes një zyrtar doganor i EULEX-it ishte qëlluar për vdekje nga sulmues të panjohur.

35 vjeçari Audrius Šenavičius, që kishte vetëm pak më shumë se një vit që kishte nisur shërbimin në EULEX, s’u kishte mbijetuar plagëve kur bashkë me pesë zyrtar të tjerë të EULEX-it dhe dy vetura ishin cak i sulmeve nga atentatorë ende të pa kapur.

Herët në mëngjesin e sotëm, pas 12 vitesh, Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kryen bastisje në nëntë lokacione në Zveçan dhe Zubin Potok.

Prokuroria Speciale e konfirmoi që aksioni i gjerë u krye në kuadër të hetimit për vrasjen e zyrtarit të EULEX-it, “me qëllim të verifikimit të informatave dhe identifikimit të mundshëm të provave relevante”.

Çka u zbulua nga aksioni?

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës në komunikatë të përbashkët njoftuan se Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, kanë kryer bastisje në dy (2) lokacione në Zveçan dhe në shtatë (7) lokacione në Zubin Potok, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale: “Rrezikimin e personelit të Kombeve të Bashkuara ose personelit në marrëdhënie me to”, “Vrasje të Rëndë” dhe “Sulm ndaj personit zyrtarë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.

  • Gjatë operacionit, i cili është mbështetur edhe nga njësi të tjera relevante të Policisë së Kosovës, janë shoqëruar në Polici shtatë ( 7 ) persona, dhe pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.
  • Ndërsa, gjatë zbatimit të urdhërit për bastisje, si një hap i rëndësishëm procedural në kuadër të një hetimi që është ende në zhvillim, janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale sikurse: dy armë, municion, veshje me përmbajtje nacionaliste, dylbi, dokumente, pajisje elektronike të ndryshme etj.
  • Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, ritheksojnë përkushtimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe sjelljen para drejtësisë të atyre që cënojnë sigurinë, ligjin dhe rendin në Republikën e Kosovës.

Një vitë më parë Albin Kurti i Vetëvendosjes e pati kujtuar dhe nderuar shërbimin e zyrtarit lituanez të vrarë në veri para 12 vitesh.

“Sot shënojmë njëmbëdhjetë vjet nga humbja tragjike e Audrius Šenavičius, një doganier nga Lituania, i cili u vra me gjakftohtësi nga autorë të panjohur në veri të Kosovës. Sakrifica e tij pasqyron guximin e heronjve tanë kombëtarë si Enver Zymeri dhe Afrim Bunjaku, duke na kujtuar angazhimin për sigurinë dhe sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës.

Ndërsa e kujtojmë Šenavičius në këtë përvjetor solemn, nderojmë kujtimin e tij dhe festojmë shërbimin e tij të palodhur për vendin tonë dhe popullin e tij. Trashëgimia e tij vazhdon të na frymëzojë të gjithëve”, shkroi Kurti.

Të ngjashme

Të fundit