Disa të rinj entuziastë nga Drenica filluan sulmet e para të armatosura kundër forcave policore serbe pas vitit 1992.
Ata nuk u pajtuan me gjendjen ekzistuese dhe morën vendim që poshtrimit, torturave, përndjekjes e vrasjeve sistematike të shqiptarëve nga okupatori serb t’u thuhet mjaft.
Në shtator 1992, Hashim Thaçi, Sami Lushtaku, Jakup Nura dhe Ramiz Lladrovci do të kryenin aksionin e parë te hekurudha e trenit në Drenas.
Ky nuk ishte aksioni i vetëm. Pas tij, grupi i komandantit legjendar Adem Jashari do të fillonte sulmet guerile dhe nga ai moment forcat okupatore serbe nuk do të ndiheshin rehat në rajonin e Drenicës.
Adem Jashari, Sami Lushtaku, Jakup Nura, Sami e Nuredin Lushtaku, Fadil Kodra, Sahit Jashari, Kadri Veseli, Hashim Thaçi, Ilaz Kodra, Besim Rama e të tjerë, filluan goditjen e armikut.
Në maj të 1993 u krye një aksion i madh kundër policisë serbe.
“Për të vazhduar më pastaj në maj të vitit 1993 në ballafaqimin që kemi pasur me një grup të madh të policisë serbe, po ashtu në Drenas”, do të shprehej Hashim Thaçi më pas, duke treguar se aksioni ishte i suksesshëm dhe asnjë anëtar i grupit nuk ishte dëmtuar.
Mediat serbe të asaj kohe u alarmuan, forcat serbe ishin trazuar e popullata shqiptare nuk besonte që ka shqiptarë që do t’i kthenin pushkën Serbisë.
Gazetarja Violeta Orosi kishte publikuar një artikull të datës 31 maj 1993 ku tregonte për sulmin në Drenas.
Partitë politike në Kosovë kishin deklaruar atë kohë se forcat serbe po vriten mes veti.
“Ishte një përballje e ndërsjellë mes pjesëtarëve të policisë”, thuhej në reagimin e partive shqiptare.
“Organet zyrtare serbe kanë akuzuar “terroristët shqiptarë” si përgjegjës për këtë incident të rëndë, ndonëse deri më tani (e enjte, 27 maj) asnjë nga sulmuesit nuk është kapur”, thuhej në artikullin e datës 31 maj 1993.