Në njoftimin për media thuhet se hetimet fillimisht kanë rezultuar me identifikimin e dy personave të cilët dyshoheshin për shpërndarje të substancave narkotike të llojit marihuanë dhe kokainë në qytetin e Prishtinës.
“Më datë 25.03.2026, rreth orës 14:00, është zbatuar një plan taktik operacional, ku të dyshuarit janë lokalizuar në dalje të autostradës në Veternik, duke lëvizur me një veturë të tipit Golf 8 me targa vendore. Me të vërejtur prezencën e policisë, të njëjtit kanë tentuar të ikin me shpejtësi të lartë, duke rrezikuar seriozisht sigurinë në komunikacion. Gjatë ndjekjes, të dyshuarit kanë lëvizur në drejtim të Fushë-Kosovës, më pas drejt Podujevës, për t’u kthyer sërish në magjistralen Prishtinë–Mitrovicë. Ndjekja ka përfunduar në hyrje të qytetit të Vushtrrisë, ku njësitë policore kanë arritur t’i ndalojnë dhe arrestojnë të dyshuarit”, thuhet në njoftim.






