Aksidenti që rezultoi me tre të vdekur në fshatin Çubrel në magjistralen Mitrovicë-Pejë, rezulton të jetë shkaktuar nga zyrtari policor që po ngiste veturën zyrtare.
E gjithë ngjarja ndodhi mbrëmë. Inspektorati Policor i Kosovës ka dhënë detaje lidhur me rastin.
Në njoftimin e PK’së bëhet e ditur se zyrtari policor s’kishte përshtatur shpejtësinë e automjetit dhe ka kaluar në shiritin e kundërt.
Tutje, bëhet e ditur se është suspenduar zyrtari policor që dyshohet se ka shkaktuar aksidentin.
Njoftimi i IPK:
Tre persona humbin jetën në një aksident trafiku
Prishtinë, 27 janar 2025
Hetuesit e IPK-së mbrëmë rreth orës 19:00 janë njoftuar nga Policia e Kosovës për një aksident trafiku ku ishte përfshirë një automjet zyrtar i policisë dhe një veturë civile.
Pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes duke ju bashkëngjitur edhe ekipeve tjera policore dhe prokurorisë në këqyrjen e vendit të ngjarjes.
Aksidenti raportohet të ketë ndodhur në rrugën rajonale Mitrovicë – Pejë në fshatin Çubrel në ora 18:40.
Bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se aksidenti ka ndodhur si rezultat i mos përshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes së automjetit me kushtet e rrugës nga drejtuesi i automjetit zyrtar të policisë i cili ka kaluar në shiritin e kundërt duke goditur veturën civile.
Si pasojë e aksidentit tre persona (të cilët kanë qenë në veturën civile) një mashkull dhe dy femra fatkeqësisht kanë ndërruar jetë.
Trupat e pajetë të tre viktimave janë dërguar janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Lëndime të rënda trupore kanë pësuar katër zyrtarë policorë dhe një qytetar nga vetura civile të cilët janë dërguar në QKUK për tretman mjekësor.
Si pjesë e procedurave administrative dhe në interes të hetimit, IPK ka rekomanduar suspendimin e zyrtarit policor i cili ka qenë drejtues i automjetit zyrtar të policisë në momentin e aksidentit përderisa lidhur me aksidentin janë duke u ndërmarrë veprime hetimore në koordinim me prokurorin kompetent.