28.3 C
New York
Thursday, July 10, 2025

Buy now

Aksidenti fatal i Diogo Jotas, dëshmitarët e hedhin poshtë deklaratën e policisë

- Advertisement -

Vdekja tragjike e futbollistit të famshëm, Diogo Jota dhe vëllait të tij, Andre Silva, vazhdon që të jetë në qendër të vëmendjes, teksa autoritetet spanjolle po hetojnë ende rrethanat e aksidentit fatal.

Në raportin fillestar të policisë thuhet se shkak i aksidentit dyshohet të ketë qenë shpejtësia e lartë e makinës “Lamborghini Huracan”.

Dyshohet se mjeti ka kaluar limitin prej 120 km/h, dhe shpërthimi i një gome ka çuar në humbjen e kontrollit dhe daljen nga rruga.

Por mesa duket ky version zyrtar është vënë në pikëpyetje nga dy dëshmitarë okularë, të cilët kanë qenë ndër të parët që kanë mbërritur në vendngjarje, shkruajnë mediat e huaja.

Një ndër dëshmitarët është kamionisti Jose Azevedo, i cili ka regjistruar videon e publikuar më vonë në rrjetet sociale.

Ai deklaron: “Ata kaluan pranë meje shumë qetë, pa asnjë shpejtësi të tepruar. E dërgova videon në CMTV sepse filluan të qarkullonin lajme të pabaza”.

Azevedo iu drejtua edhe familjarëve të viktimave me një mesazh ngushëllimi dhe sqarimi:

“Ju jap fjalën time, nuk po ngisnin me shpejtësi. Ishin shumë të qetë. Unë bëj këtë rrugë çdo ditë, e njoh mirë. Është e errët dhe e rrezikshme. Kam parë markën dhe ngjyrën e makinës shumë qartë”.

“E kam filmuar zjarrin kur po kaloja pranë vendit dhe disa metra më tutje u ndala dhe u përpoqa ta shuaja me fikësen e zjarrit, por për fat të keq nuk munda të bëja asgjë. Ndërgjegjja ime është e pastër”, tha gjithashtu ai, duke mbrojtur veten, ndërsa siç zbuloi, “në vendngjarje ndodhej një shofer tjetër portugez i cili kishte parë se si automjeti doli nga rruga”.

Deklarata e kamionistit përforcohet edhe nga një tjetër dëshmitar, Jose Aleixo Duarte, i cili gjithashtu ka filmuar skenën dhe ka tentuar t’i shpëtojë dy të rinjtë, por pa mundur të bëjë asgjë për t’i nxjerrë nga makina në flakë, përcjell Gazeta Shqip.

Hetimet për shpërthimin e gomës dhe rrethanat e aksidentit vazhdojnë, ndërkohë që zërat kundër versionit zyrtar po shtohen, duke hapur një debat të ri mbi atë që ndodhi realisht në atë natë tragjike në autostradën A-52 në Spanjë.

Të ngjashme

Të fundit