Një aksident me fatalitet ka ndodhur të mërkurën në Shijak të Shqipërisë.
Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur “Katër rrugët e Shijakut”, shkruan abcnews.al.
Sipas burimeve nga policia, një automjet që drejtohej nga Ndriçim Domi ka përplasur një person që po lëvizte me biçikletë.
Përplasja ka rezultuar fatale për çiklistin Hasan Hamzai. Mësohet se personi që përplasi biçikletën është larguar nga vendi i ngjarjes.
Policia po heton rrethanat e aksidentit, identifikimin e viktimës si edhe po vëzhgon kamerat e sigurisë për të identifikuar drejtuesin e mjetit.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 19:15, në fshatin Rreth, Shijak, një automjet me drejtues shtetasin N. D., 31 vjeç, ka përplasur shtetasin H. H., 32 vjeç, i cili udhëtonte me biçikletë, ku si pasojë e përplasjes ka humbur jetën. Drejtuesi i automjetit është larguar nga vendngjarja.
Shërbimet e Policisë Shijak, pas marrjes së njoftimit, kanë organizuar punën dhe falë veprimeve të shpejta dhe informacioneve bënë të mundur lokalizimi dhe kapja e autorit, bllokimin e automjetit dhe shoqërimin në ambientet e Komisariatit të Policisë Shijak, të shtetasit N. D., 31 vjeç, për veprime të mëtejshme.