10.9 C
New York
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

Akomodimi pa kategorizim i të burgosurve

- Advertisement -
Vendosja e të burgosurve të kategorive të ndryshme në pavijone të njëjta të burgjeve të Kosovës është një prej problematikave që duhet adresuar me urgjencë, thonë përfaqësues të organizatave që merren me të drejtat e njeriut.

 

Një raport që ka publikuar Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) në fillim të këtij muaji, ka gjetur se të burgosurit me probleme të shëndetit mendor dhe përdoruesit e substancave narkotike vendosen dhe trajtohen në pavijone të njëjta me të burgosurit tjerë, përfshirë të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike.

Ky akomodim, sipas QKRMT-së, paraqet “trajtim të padinjitetshëm”. Drejtoresha ekzekutive e kësaj organizate, Feride Rushiti, thotë se ai është në kundërshtim edhe me dispozitat ligjore në fuqi, sidomos për të paraburgosurit.

“Menaxhimi i këtyre kategorive të të burgosurve me të burgosurit tjerë është i vështirë edhe për stafin e qendrave korrektuese. Kjo përzierje e të burgosurve sjell shumë herë konflikte dhe dhunë mes të burgosurve”, thotë Rushiti për Radion Evropa e Lirë.

Në shumicën e rasteve të dhunës mes të burgosurve, sipas gjetjeve të QKRMT-së, janë të përfshirë të burgosurit me probleme mendore dhe të burgosurit e varur nga substancat narkotike.

Sipas Rushitit, rastet e tilla evidentohen më shpesh në Qendrën Korrektuese në Dubravë, në Burgun e Sigurisë së Lartë, në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë dhe në atë të Gjilanit.

Për këtë situatë, vërejtjen e ka tërhequr edhe Avokati i Popullit në Kosovë, i cili ka kërkuar nga autoritetet përgjegjëse që ta adresojnë çështjen.

Sipas të dhënave të këtij institucioni për vitin 2022, në qendrat korrektuese dhe në ato të paraburgimit në Kosovë janë trajtuar 218 raste me çrregullime mendore dhe 226 me sëmundje kronike – prej tyre 50 persona kanë qenë mbi moshën 65-vjeçare dhe katër persona me nevoja të veçanta.

E njëjta problematikë është theksuar edhe në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut, të publikuar vitin e kaluar.

“Për shkak të mungesës së hapësirës, të burgosurit me çrregullime mendore akomodohen me popullatën e përgjithshme të burgjeve”, është thënë në pjesën për Kosovën të këtij raporti.

Qendër e veçantë për trajtimin e disa kategorive të të burgosurve

Ministria e Drejtësisë e Kosovës, qysh në vitin 2021, ka iniciuar procedurën për rregullimin e Pavijonit D të Qendrës Korrektuese në Dubravë, si objekt i veçantë për akomodimin dhe trajtimin e këtyre kategorive të të burgosurve.

Zëvendësi i drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, thotë për Radion Evropa se ky objekt do të vihet në funksion së shpejti, por nuk specifikon më shumë.

Ai nuk jep detaje as rreth kapaciteteve që do t’i ketë ky pavijon apo kushteve tjera përcjellëse.

Keqtrajtime të të burgosurve

Përveç problematikës së akomodimit, raporti i QKRMT-së veçon edhe “keqtrajtimin e të burgosurve” nga stafi i qendrave korrektuese.

Një i burgosur, sipas QKRMT-së, ka deklaruar se “zyrtarët korrektues e kanë goditur me shufra gome disa herë”, derisa “e kanë lëshuar këmbët dhe ka rënë përtokë”.

Për këtë gjetje, REL-i pyeti Dibranin, nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, i cili tha se, në momentin kur institucioni e ka marrë këtë informacion nga QKRMT-ja, ai ka vënë në funksion komisionet hetuese.

Sipas Dibranit, ekipet hetimore në këtë rast kanë konstatuar se përdorimi i forcës “ka qenë në proporcion me reagimin e të dënuarit”.

“Mjetet që janë theksuar se janë përdorur në këtë rast, si shufrat e gomës, ka vite që janë larguar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës”, thotë Dibrani.

Sipas tij, vërejtjet që bëjnë organizatat që merren me monitorimin e burgjeve – qoftë QKRMT-ja, Avokati i Popullit apo Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Kosovë – adresohen me kohë.

“Në asnjë rrethanë ne nuk i shohim si pengesë, por si partnerë strategjikë në krijimin e një klime të mirë brenda institucioneve korrektuese”, thotë Dibrani.

Shala: Pak përmirësime në Qendrat Korrektuese

Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Kosovë thotë se përmirësimi i të drejtave të njeriut në burgjet e Kosovës është duke ecur me hapa të vegjël.

“Ashtu siç i kemi kushtet e këqija në aspektin e respektimit të të drejtave të njeriut jashtë, ashtu janë edhe brenda burgjeve”, thotë drejtori i këtij këshilli, Behxhet Shala.

Një prej vërejtjeve kryesore të KMDLINJ-së, sipas tij, lidhet me motivimin e të burgosurve – ata nuk motivohen që me sjellje të mirë të mund të përfitojnë diçka.

“Nuk mund të kërkoni të ketë sjellje të mirë një i burgosur nëse nuk e motivoni”, thotë Shala për Radion Evropa e Lirë.

Sipas të dhënave të Shërbimit Korrektues të Kosovës, në 11 qendrat e tij në Kosovë janë aktualisht mbi 1.800 persona – prej tyre, mbi 1.000 në vuajtje të dënimit, ndërsa pjesa tjetër të paraburgosur.

QKRMT-ja ka gjetur se në shumë prej tyre ka pasur, mes tjerash, edhe probleme me ngrohjen, ushqime me afat të skaduar dhe mungesa terapish.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit