Pas fitores në zgjedhjet lokale në Vrapçisht dhe Gostivar, kreu i ASH-së Arben Taravari tha se pret që të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare në vendin fiqnj që sipas tij janë të mundshme në maj ose tetor.
“AKI u tregua se bashkë mund të bëjë rezultate të jashtëzakonshme dhe kjo është një frymë e re, e cila do të vazhdojë edhe në zgjedhjet parlamentare, që unë i pres në vitin 2026, të mbahen në maj ose tetor”, tha kreu i ASH-së, Arben Taravari.
Sipas KSHZ-së, nga numërimi i 93,39% të votave në Gostivar, nga rezultatet e votave të numëruara në 113, prej 121 vendvotimeve në Gostivar, fiton Valbon Limani, i cili ka fituar 14.647 vota. Kundërkandidati i tij nga VLEN, Nevzat Bejta, del që ka marrë 7.208 vota.
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti pas fitores së AKI-së në zgjedhjet e përsëritura në Gostivar dhe Vrapçisht, tha se në raundin e parë më 19 tetor 2025, AKI-së i është bërë me hile.
“Dua të ndaj një shqetësim që nuk e kam thënë asnjëherë në këtë proces zgjedhor dhe sidomos në këto komuna si në Gostivar dhe Vrapçisht, që na është bërë me hile. Përveç se është përdorur në komunat e tjera inxhinieringu, këtu është përdorur një mjet tjetër, sabotazha, bojkoti që ne mos të triumfojnë në rrethin e parë të zgjedhjeve. Dua të ndaj këtë shqetësim që nuk e kam shfaqur, a thua a do të shkilet Besa e dhënë? Dua të falënderojë çdo aktivist të BDI-së dhe ASH-së, që kanë punuar që kanë vepruar të gjithë bashkërisht, për shtëpinë e përbashkët dhe për të ruajtur Besën e dhënë”, tha Ahmeti.






