Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka reaguar ndaj ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, duke e cilësuar çdo përpjekje për relativizim të krimeve të luftës si të papranueshme dhe fyese për viktimat.
Sipas AKB-së, përfshirja e Kuvendit të Republikës së Kosovës në financimin e kësaj ekspozite ngre dyshime për keqpërdorim të mjeteve publike, nëse përmbajtja e saj devijon nga e vërteta historike.
AKB gjithashtu u ka bërë thirrje kompanive sponsorizuese, përfshirë EXFIS, Libraria Dukagjini, JYSK dhe KFC, si dhe disa organizatave mbështetëse, që të reflektojnë mbi rolin e tyre dhe të kërkojnë falje publike nëse iniciativa perceptohet si deformim i së vërtetës.
Në reagim theksohet se masakrat e viteve 1998–1999 janë krime të dokumentuara dhe nuk mund të jenë objekt interpretimi.
AKB i ka kërkuar Prokurorisë së Shtetit që të shqyrtojë rastin për të vlerësuar nëse ka elemente të keqpërdorimit të mjeteve publike dhe tentativë për shtrembërim të historisë.
Po ashtu, është kërkuar transparencë e plotë mbi financimin dhe qëllimin e ekspozitës, duke paralajmëruar se në të kundërtën mund të pasojnë reagime qytetare dhe bojkot ndaj kompanive sponsorizuese.






