Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, kërkoi nga Qeveria e Kosovës heqjen e taksave për produktet e importuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Në një intervistë për Ekonomia Online, Shahini tha se kjo do të ndihmonte në përjashtimin e Kosovës nga masat tarifore të SHBA-së dhe do të mbante tregun e eksportit të hapur për prodhuesit kosovarë.
“Trump ka marrë një vendim reciprok ndaj shumë shteteve, por ne Qeverinë e Kosovës e kemi paralajmëruar qysh më 5 mars që të heq taksat nga produktet e importuara nga SHBA, për arsye që Kosova të përjashtohet nga këto masa dhe të tarifohen eksportet e Kosovës. Kërkesat kur vijnë nga komuniteti i biznesit janë burime të sakta, sepse kemi pasur paralajmërime të sakta që është duke u bërë kjo përpilim”, tha Shahini.
Ai tha se Kosova ka pasur një bilanc tregtar pozitiv me Amerikën, me eksporte që kalojnë 440 milionë euro dhe importe mbi 400 milionë euro. Ai shtoi se heqja e taksave për 10 për qind do të ndikonte pozitivisht në rritjen e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve.
“Për katër vjet, Kosova ka pasur eksport mbi 440 milionë euro produkte të ndryshme, po ashtu ka pasur edhe importe mbi 400 milionë euro. Ne e vlerësojmë bilancin tregtar më të mirë si shtet me Amerikën. Është dashur që Kosova të rishikojë këto mundësi dhe vlerësojmë shumë lart Qeverinë e Kosovës nëse merr hap për të hequr taksat 10 për qind. Natyrisht, kjo do të ndikojë në rritjen e çmimeve për ato produkte që importohen, por do të ndikojë edhe te prodhuesi vendor, i cili do të detyrohet të ulë fitimin për 10 për qind ose të humbasë tregun në SHBA. E vlerësojmë se humbja e këtij tregu është një humbje e madhe për prodhuesit dhe Kosovën,” tha ai.
Shahini gjithashtu kërkoi masa reciproke pa taksa për të dyja shtetet, duke theksuar rëndësinë e këtij hapi për të forcuar marrëdhëniet ekonomike dhe miqësore.
“Kosova ka pasur që nga viti 2008 preferenca tregtare për mbi 3,500 produkte për eksport në SHBA pa taksa dhe ka qenë mundësi e madhe për të promovuar produktet tona. Kosova dhe SHBA duhen të kenë masa reciproke me taksa zero në të dy anët, në mënyrë që miqësia jonë të konvertohet edhe në interes biznesor-ekonomik dhe në rritjen e shkëmbimeve tregtare”, tha ai.
