Rexhep Qosja, shkrimtar dhe albanolog i njohur, ka shkruar një status relativisht të gjatë, në të cilin ka treguar se më 9 shkurt do të votojë për Lëvizjen Vetëvendosje.
Madje, përmes një gjuhe goxha militante, Qosja ka renditur “arsyet” e votës pro Albin Kurtit, kryeministër i Kosovës. Çfarë shkroi Qosja?
Shkrimin e akademik Qosjes mund ta ndajmë në dy dimensione. I pari dimension është përkrahja me terme superplative për Kurti, ndërsa dimensioni i dytë është kritika e sulmi me gjuhë të ashpër ndaj opozitës.
Që në hyrje të tekstin, Qosja ka treguar se nuk ka votuar në zgjedhje që nga viti 2000. E pastaj, Qosja nis e lavdëron Kurtin, duke treguar dy arsye themelore për votën e 9 shkurtit. Arsyeja e parë është votë pro Kurtit, arsyeja dytë është votë ndëshkuese ndaj opozitës.
“Do të votoj sepse më kanë nxitur para së gjithash dy të dhëna: e para, ligji që ka miratuar Qeveria me Kryeministër Albin Kurtin për sekuestrimin e pronës, pasurisë së paligjshme, korruptueshëm të fituar, dhe e dyta fushata zgjedhore e opozitës. Është kjo një fushatë zgjedhore e pandodhur, e padëgjuar ndonjëherë në Kosovë.
Do të votoj sepse është kjo një fushatë që e shënojnë sasiorisht dhe kuptimisht urrejtje, gënjeshtra, shpifje, e kjo domethënë mungesa elementare e përgjegjësisë etike për veprimin dhe mendimin e pjesëmarrësve në fushatë!” – ka shkruar Qosja.
Akademiku 89-vjeçar ka vazhduar edhe më tutje kritikat ndaj opozitës.
“Do të votoj sepse është kjo fushatë e partive që para katër vitesh e bënë të mundshme fitoren e Vetëvendosjes me përqindje që karakterizon Referendumet e jo zgjedhjet politike partiake.
Do të votoj sepse është kjo fushatë e subjekteve politike në kohën e pushtetit të të cilëve në Kosovë mbisunduan të këqija shoqërore, politike, pushtetore të papritura.
Do të votoj sepse ajo ishte koha kur korrupsioni dhe nepotizmi u bënë sëmundje e pashërueshme e njëmendësisë shtetërore; kur të vërtetat u pushtuan prej gënjeshtrave të ndryshme; kur drejtësia u pushtua prej padrejtësisë; kur siguria u kërcënua prej krimeve të ndryshme; kur dinjiteti u cenua prej servilizmit si mjet që servilëve u siguron privilegje të ndryshme; kur paqja u cenua prej dhunës; kur shpresa u cënua prej dëshpërimit” – ka theksuar Qosja.
Në shkrim Qosja ka përmendur edhe veriun e Kosovës si një nga aryset e votës pro Kurtit.
“Do të votoj sepse Veriun e Kosovës të përtej Urës së Ibrit, atë hapësirë shumë të çmuar e të pasur të Kosovës, të sunduar prej serbëve edhe pas luftës çlirimtare të UÇK-së, Vetëvendosja me Albin Kurtin Kryeministër ia ktheu sovranitetit të Kosovës dhe e pastroi prej krimit të organizuar të serbëve, kur e kur të serbëve në bashkëpunim me disa shqiptarë, që ndodhnin atje” – ka vazhduar Qosja.
Siç ishte lehtësisht e paramendueshme, shkrimi i Qosjes është pritur me entuziazëm në kampin e VV-së, pasi shumë njerëz të pushtetit, përfshirë zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi e këshilltarët e Kurtit, Luan Dalipi e Jeton Zulfaj e shumë aktivistë të tjerë të VV-së.