Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku mori pjesë në Akademinë Përkujtimore të ish-kryetarit të Istogut, Fadil Ferati, duke nderuar kështu kujtimet e njërit prej veprimtarëve e personaliteteve më të rëndësishme të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të historisë moderne të Istogut, në 15-vjetorin e ikjes nga jeta.
Abdixhiku tha se Fadil Ferati nuk ishte vetëm një kryetar komune apo një politikan, ai thotë se Ferati ishte një shembull i përkushtimit të palëkundur ndaj qytetarëve dhe ndaj shtetit të Kosovës.
“Sot, organizuam Akademi Përkujtimore kushtuar veprimtarit e atdhetarit të madh, ish-nënkryetarit të LDK-së e kryetarit të Istogut, Fadil Ferati. Bashkë me Ilirin dhe familjen, dhe me bashkëveprimtarë e miq të tij, nderuam kujtimin e njërit prej personaliteteve më të rëndësishme të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të historisë moderne të Istogut, në 15 vjetorin e ikjes nga jeta, Fadil Ferati”.
“Fadili nuk ishte thjesht një kryetar komune apo një politikan; ai ishte një shembull i përkushtimit të palëkundur ndaj qytetarëve dhe ndaj shtetit të Kosovës. Njeri i urtë dhe vizionar, ai ishte ndër shtyllat më të forta të LDK-së, besnik e i pathyeshëm ndaj vizionit të Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova. Puna dhe angazhimi i tij në politikë ishin mishërim i përkushtimit ndaj qytetarëve, të cilët ia besuan drejtimin e Istogut për vite me radhë. Si nënkryetar i LDK-së dhe pjesë e strukturave drejtuese të partisë në Istog, ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm në ndërtimin e institucioneve demokratike të Kosovës dhe në fazat kyçe shtetformuese të vendit”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
“Sot, teksa kujtojmë Fadilin, ndjejmë mungesën e tij, por edhe forcën e trashëgimisë që ai ka lënë pas. Vepra e tij mbetet udhërrëfyese për të gjithë ata që besojnë në politikën si shërbim ndaj qytetarit dhe në idealet e një Kosove të zhvilluar dhe demokratike. LDK-ja dhe unë, e sot dhe djali i tij, Iliri, bashkë jemi të përkushtuar, që të punojmë nër rugën e idealeve që kanë trasuar brezi i Fadilit dhe jemi të përkushtuar që këtë kulturë e këto vlera, t’i përcjellim te breznitë e reja. Në këtë 15 vjetor, te varri i tij bashkë me familjen dhe bashkëpunëtorë bëmë dhe homazhe në nderim të jetës dhe veprës së këtij burri të madh. Lavdi jetës dhe veprës së Fadil Feratit!”.