Derisa Sindikata e Bashkuar e Arsimit në Kosovë kërkonte që t’i shtoheshin nga 100 euro në pagë të gjithë mësimdhënësve deri në miratimin e Ligjit të Pagave, kryeministri Albin Kurti assesi nuk pajtohej me këtë.
Madje derisa ata vazhdonin grevën në arsim, kryeministri Kurti deklaroi se çmimet në Kosovë nuk janë rritur vetëm për mësimdhënësit, e që sipas tij rritja ishte për të gjithë dhe ndikoi tek të gjithë.
E lidhur me këtë së fundi ka reaguar ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Ahmeti përsëriti atë që deklaroi Kurti për çmimet, teksa tha se inflacioni nuk i ka prekur të gjithë njësoj.
Ai shtoi se një deputeti iu janë hequr dy biftekë, e një salmon në muaj por një mësimdhënësi iu janë hequr 2-3 litra vaj, e 2-3 gradë ngrohje.
“Është e vërtetë që çmimet nuk janë rrit vetëm për mësimdhënësit, por edhe inflacioni nuk i ka prek të gjithë njejtë. Psh një deputeti ja ka hjek dy byfteka e një sallmon në muaj, por një mësimdhënësi ja ka hjek nja 2-3 litra vaj e 2-3 gradë ngrohje etj. E disave edhe bukën”, ka shkruar ai.
Ndryshe mësimdhënësit vendosën që të ndërpresin grevën në arsim, por Qeveria e Kosovës nuk i pagoi të gjithë për muajin shtator. Mësimdhënësit të cilët ishin në grevë nuk morën asnjë cent për muajin që shkoi.