Agron Llakaj ka bërë sot një dedikim prekës për bashkëshorten e tij të ndjerë, e cila u nda nga jeta pesë muaj më parë për shkak të një sëmundjeje të rëndë.
Përmes një postimi në Instagram, përbri fotos së tij me bashkëshorten, aktori i humorit shkruan: “Sot, 5 muaj pa ty, zemra jonë Konstandinë…Endemi në lëndinën e lotëve dhe mallit të çmendur për ty”.
Agron Llakaj e ka shprehur shpesh dhimbjen për bashkëshorten e ndjerë. Në fillim të muajit, ai foli për mungesën e saj në emisionin “Vizioni i Pasdites”, ku u shpreh:
“Unë nuk do të doja ta cekja këtë temë, sepse e di që janë kohët më të vështira në jetën time. Më duhet të qesh, kur nga brenda qaj dhe e kam shumë të vështirë. Më tepër më rrok pjesa e vuajtjes dhe e dhimbjes, edhe pse mundohem ta kaloj. Pardje isha në një ceremoni dhe më erdhi një nënë në moshë, më tha: ‘Bëhu i fortë Agron, do na bësh për të qeshur, sepse është mision. Ti duhet të jesh më i fortë në këtë mision, pasi të gjithë kemi nga një shpirt, por ti ke dy, ke dhe shpirtin e Kostandinës’. Më mungon tmerrësisht, pse më futët në këtë pyetje?”, tha aktori, dukshëm i prekur.
Agroni dhe Kostandina kanë qenë të martuar për rreth 40 vite. Shpeshherë, aktori i humorit ka shprehur të gjithë mirënjohjen dhe dashurinë për të shoqen, duke treguar se kur erdhi në Tiranë, në moshën 27-vjeçare dhe ishin prindër të dy fëmijëve, Kostandina mori përsipër të rriste fëmijët dhe të sakrifikonte shumë për familjen.