Kandidati për kryetar të Junikut nga radhët e AAK-së, Agron Kuçi, ka deklaruar se është përballur me kërcënime të drejtpërdrejta me jetë pas publikimit të, siç thotë ai, skandaleve dhe keqpërdorimeve zgjedhore që kanë ndodhur në komunë.
Në një reagim në Facebook, Kuçi ka bërë të ditur se pas denoncimeve të tij, persona të panjohur kanë shkuar në shtëpinë e tij duke tentuar ta bindin të tërhiqet nga zbardhja e manipulimeve me vendbanime dhe listat e votuesve. Ai ka shtuar se ka marrë kërcënime të hapura nga një militant i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), që sipas tij, është gjithashtu zyrtar komunal.
“Pas zbulimit të manipulimeve me vota dhe ndërrimit të vendbanimeve, tash po përpiqen ta heshtin të vërtetën përmes presioneve e kërcënimeve”, ka thënë Kuçi, duke theksuar se rasti tashmë është paraqitur në organet kompetente.
Ai ka shtuar se nuk do të frikësohet dhe nuk do të ndalet në përpjekjet për ta mbrojtur të vërtetën dhe dinjitetin e qytetarëve të Junikut.
“Junikun nuk do ta ndalë frika, por drejtësia dhe e vërteta. Ai meriton zhvillim, jo korrupsion të fshehur pas pushtetit”, ka përfunduar Kuçi.