Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka kundërshtuar vendimin e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) që nuk ka akredituar edhe media në gjuhën shqipe për zgjedhjet e 12 tetorit që do të mbahen këtë të diele.
Në mesin e mediave shqipe është edhe Reporteri.net dhe Mitropol.
“KQZ-ja nuk i ka akredituar as disa media në gjuhën shqipe. Në takimin e së enjtes, KQZ ka dështuar të miratojë akreditimin edhe për një numër të vogël të medieve në gjuhën shqipe. Në mesin e tyre janë edhe Reporteri.Net me bazë në Prishtinë dhe Mitropol në Mitrovicë. AGK-ja e kundërshton mosakreditimin e këtyre medieve, pa asnjë bazë dhe pa asnjë shpjegim dhe e fton PZAP ta rrëzojë vendimin e KQZ-së. Vendimi i KQZ-së për të mos miratuar akreditimin e asnjë medie në gjuhën serbe, dhe të disa medieve në gjuhën shqipe dhe media ndërkombëtare është i jashtëligjshëm, i papranueshëm dhe shumë i rrezikshëm për lirinë e medias në vend. AGK-ja i kërkon KQZ-së që urgjentisht të marrë vendime të reja, për të lejuar punën e papenguar të ekipeve mediale në ditën e zgjedhjeve”, thuhet në reagim.