Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, anëtarë të Bordit dhe drejtorja ekzekutive, Getoarbë Mulliqi, morën pjesë këtë të mërkurë në protestën e organizuar nga Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK).
AGK-ja i përkrah fuqishëm kërkesat e punëtorëve të RTK-së dhe i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që urgjentisht të eksplorojë të gjitha mundësitë ligjore për të alokuar buxhetin që i takon Transmetuesit Publik.
Gazetarët, kameramanët, montazhierët dhe të gjithë punëtorët e RTK-së nuk duhet të punojnë nën presion financiar, duke ua mohuar pagat, dhe as nën presion politik, i cili ndodh vazhdimisht nga ana e Qeverisë së Kosovës.
AGK-ja e njeh rolin e rëndësishëm të Transmetuesit Publik në skenën mediale të Kosovës për të informuar publikun në kohë reale, në gjuhët e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.
AGK-ja do të përkrahë çdo formë proteste që Sindikata e Punëtorëve të RTK-së e sheh të arsyeshme për të adresuar mungesën e buxhetit.