Gjykata Kushtetuese ka njoftuar këtë të mërkurë se e ka shfuqizuar Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, pasi ka gjetur se disa prej neneve të tij janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
“Gjykata konstatoi se Ligji nr. 08/L-289 për Komisionin e Pavarur të Mediave duhet të shfuqizohet dhe i njëjti të rishikohet bazuar në gjetjet e Aktgjykimit”, thuhet në njoftimin për media.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka mirëpritur këtë vendim të Kushtetueses.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, bashkë me juristen e medias, Flutura Kusari e kishte dërguar opinionin e kërkuar nga Gjykata për këtë Ligj, dhe e mirëpret vendimin për shfuqizim, duke besuar se duhet një ligj i ri, me debat dhe përfshirje të gjerë publike dhe në linjë me standardet evropiane, duke respektuar rekomandimet e Këshillit të Evropës”, thuhet në njoftim.
Disa prej shkeljeve të gjetura kanë të bëjnë me mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve, shkarkimit të kryetarit, kompetencave të KPM-së dhe të tjera.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës shfuqizon ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave