Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i ka reaguar kryediplomates në largim, Donika Gërvalla, pas së paku dy sulmeve që ua ka bërë të premten gazetarëve.
AGK ka bërë thirrje nga VV-ja dhe partnerët e saj, si Guxo, që ta ndalin retorikën nxitëse.
Reagimi i plotë:
Deputetja, Donika Gërvalla Schëarz ka sulmuar gazetarët dhe mediat, në së paku dy postime në Facebook, teksa ka mbrojtur deputetin tjetër, Faton Peci.
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme ka shkruar, “Ju, që veç gazetarë nuk jeni, vazhdoni me gënjeshtra e sajime”, dhe gjithashtu “E hajt mos i quaj këta, që veç gazetarë nuk janë, mercenarë të gënjeshtrës dhe mashtrimit”.
AGK-ja e dënon këtë gjuhë të papranueshme të zyrtares së lartë të partisë politke që ka udhëhequr më Kosovën në 4 vitet e fundit, dhe i kujton se sulme të tilla të orkestruara kanë ndikuar që Kosova të renditet më se keqi në rajon sa i përket lirisë së mediave.
AGK-ja i bën thirrje Vetëvendosjes dhe aleatëve të saj të vegjël, që të ndalojnë me retorikën nxitëse kundër mediave dhe gazetarëve.