Asociacioni i Gazetarëve të Kosovëse ka konsideruar të papranueshme dhe ka dënuar ashpër sjelljen e kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ndaj gazetares së emisionit “Betimi për Drejtësi”, Shpresë Hasimi.
Sipas pamjeve të transmetuara, kryetari Muhaxheri dëgjohet duke i thënë gazetares “Baju” me nervozizëm dhe duke përplasur derën e veturës zyrtare. Ky incident ka ndodhur pasi gazetarja i kishte bërë një seri pyetjesh në lidhje me dyshimet për kurdisje në këmbimin e një prone milionëshe në Komunën e Pejës.
Më parë, Muhaxheri nuk i ishte përgjigjur kërkesës zyrtare për një intervistë me ekipin e gazetarëve në zyrën e tij.
Përmes një reagimi zyrtar, AGK-ja i bën thirrje kryetarit të Pejës që të kërkojë falje për fjalorin dhe sjelljen e papërshtatshme ndaj ekipit medial. Po ashtu, organizata kërkon nga ai që të ofrojë transparencë të plotë përballë kërkesave të gazetarëve për raportim mbi tema që kanë interes publik.
“Zyrtarët e lartë, si në nivel shtetëror ashtu edhe në atë lokal, duhet të respektojnë punën e rëndësishme të gazetarëve dhe ligjin për ofrimin e informacioneve mbi vendimet që marrin, të cilat ndikojnë në jetën e qytetarëve,” theksohet në deklaratën e AGK-së.





