Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) njofton opinionin publik se, bazuar në njoftimin e pranuar nga Republika e Shqipërisë, përkatësisht nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, i cili është informuar përmes Sistemit të Paralajmërimit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë (RASFF), me nr. 810066, referencë 2025.9963, lidhur me praninë e substancës Cereulide në formulën e ushqimit për fëmijë me origjinë nga Holanda, është konstatuar se subjekti “Rossmann & LALA SH.P.K.” në Shqipëri ka eksportuar 462 copë të këtij produkti në Republikën e Kosovës për kompaninë “Rossmann Kosova”.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë njofton se, në bashkëpunim me kompaninë, është bërë bllokimi i këtij produkti dhe se së shpejti do të fillojë procesi i asgjësimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Edhe pse Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë po përballet me mungesë të inspektorëve, ajo mbetet e përkushtuar në monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe të zinxhirit ushqimor, me qëllim të garantimit që konsumatorët në Republikën e Kosovës të kenë në dispozicion ushqim të sigurt dhe të shëndetshëm.






