Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka lëshuar një apel urgjent për qytetarët, pasi Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar reshje të dendura gjatë datave 18–19 nëntor 2025, të cilat mund të shkaktojnë vërshime të menjëhershme në disa zona të vendit.
Sipas AME-së, janë ndërmarrë masat e nevojshme për menaxhimin e situatës dhe për koordinim me institucionet përkatëse, ndërsa qytetarëve u kërkohet që të shtojnë kujdesin gjatë qarkullimit, të shmangin zonat me rrezik përmbytjesh dhe të raportojnë çdo situatë emergjente në numrin 112.
“Duke u bazuar në të dhënat e pranuara nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, parashihet që gjatë datave 18–19.11.2025 në vendin tonë të ketë reshje shiu, të cilat në disa zona pritet të jenë me intensitet të lartë. Këto reshje mund të shkaktojnë vërshime të shpejta dhe rritje të nivelit të ujërave në disa lokalitete. Agjencia e Menaxhimit Emergjent, bazuar në mandatin dhe misionin e saj, ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për menaxhimin e situatës dhe koordinimin me institucionet relevante. Agjencia u bën thirrje qytetarëve që të kenë kujdes gjatë qarkullimit, të shmangin zonat me rrezik vërshimesh, dhe të raportojnë çdo situatë emergjente në numrin unik 112”, thuhet në njoftim.
IHMK paralajmëron se zonat më të ekspozuara ndaj reshjeve intensive dhe përmbytjeve të mundshme janë rrjedha e mesme dhe e poshtme e Drinit të Bardhë, Bistrica e Prizrenit, Mirusha, Toplluha, Ereniku, Bistrica e Deçanit, si edhe disa rrjedha me karakter malor.
“Sasia e reshjeve më shumë se 40 1/m2/24h. Shkaktim i përmbytjeve, problemeve në të gjitha aktivitetet e prodhimtarisë bujqësore, probleme në trafik dhe rreziku i rrëshqitjeve të dheut dhe balte. Rrezik për jetën e njerëzve dhe kafshëve, dëmtime të pronës”, theksohet në paralajmërimin e institutit.






