52 vota kanë qenë të pamjaftueshme për të kaluar raportin e Komisionit për Verifikimin e mandateve. Partitë opozitare kanë kërkuar nga Kurti dhe ministrat e tij që të respektojnë ligjin dhe të japin dorëheqje formale nga pozitat e tyre, në mënyrë që të marrin mandatin e deputetit.
Kjo ka çuar fillimisht në një pauzë dhe më pas edhe në një ndërprerje të seancës, për t’u konsultuar më pas me presidenten Vjosa Osmani se si duhet të procedohet tutje.
Ndërkohë derisa deputeti Avni Dehari ka lajmëruar ndërprerjen e seancës, kolegu i tij nga LVV dhe ish-kreu i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka filluar të duartrokas.
Duke qenë se s’ka pasur arsye për duartrokitje, deputeti Arbër Rexhaj që ka qenë ulur në Kuvend përpara Bahtirit, është kthyer dhe e ka shikuar me habi se pse po duartroket.