Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka dhënë një lajm të rëndësishëm në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin e mëngjesit “Adresa e Ankesave” në Kanal10.
Ai ka njoftuar se më 4 korrik, në Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të inaugurohet nënkalimi më i madh në historinë e qytetit të Ferizajt, raporton Gazeta10.
Aliu theksoi se ky projekt përfaqëson një prej arritjeve më të mëdha infrastrukturore të qytetit dhe se nënkalimi do t’i japë një pamje krejtësisht të re Ferizajt.
“Në ditën e pavarësisë së SHBA-së, do të thotë pasnesër, do të bëjmë inagurimin e nënkalimit më madhështor në historinë e qytetit, pra nënkalim që i kalon përmasat e nënkalimeve të tjera dhe i jep pamje të reja qytetit të Ferizajt. Ne kemi arritur që ta bëjmë këtë qytet shumë më të vizituar, shumë më të mirë për të jetuar”, tha Aliu.
Ky projekt është konsideruar nga komuna si një ndër investimet kyçe në transformimin urban të Ferizajt dhe pritet të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin dhe infrastrukturën në qytet.
Inaugurimi pritet të mbahet më 4 korrik, duke i dhënë një domethënie të veçantë datës që përkon me festën kombëtare të SHBA-së – një vend mik dhe partner strategjik i Kosovës.