Agim Aliu, kandidat për kryetar të komunës në Ferizaj nga PDK-ja, në emisionin “Këndi i Debatit” në Televizionin Tëvë1 ka folur për kritikat që ka marrë nga qytetarët gjatë karrierës së tij dhe fushatës.
I pyetur për kritikat që i janë bërë, Aliu tha se ai i pranon ato që janë konstruktive, por nuk heziton të distancohet nga ato që i sheh si shpifje ose propagandë politike.
“Në çdo debat, në çdo takim, ku unë i ushtroj përgjegjësitë e mia, nëse kërkon diçka kërkoj mendimin kritik, por mendimin kritik në kuptimin e plotë të fjalës. Për shembull, jemi në fushatë dhe dihet se më shumë ka propagandë, shpifje dhe akuza, ndërsa kritika e mirë është e pranuar sepse është në të mirë të vetë neve dhe të qeverisjes sonë. Prandaj gjithmonë e kemi parasysh që të bëjmë qeverisje më të mirë dhe vazhdimisht e kam thënë edhe qytetarëve: ‘Nëse ju më keni besuar që të jem kryetar, ju duhet të ma mbani qeverisjen, sepse unë kam dalë me një program, platformë dhe disa projekte, dhe ju do të më ndihmoni që t’i realizoj’”, ka thënë Aliu.
Ai gjithashtu foli për një prej kritikave kryesore lidhur me furnizimin me ujë në komunë:
“Një prej kritikave që kam marrë është për ujin. Kam pasur probleme me furnizimin dhe kam investuar mbi 10 milionë euro në shtimin e kapaciteteve të ujit. Por qeveria aktuale nuk ka investuar në projektet madhore për zgjidhjen e këtij problemi”, shtoi Aliu.