Kryetari aktual i Ferizajt dhe njëherësh kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për një mandat tjetër, Agim Aliu, ka njoftuar se ka fituar një padi për shpifje ndaj kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të kësaj komune, Enver Haliti.
Aliu tha se Gjykata Themelore në Ferizaj ka shpallur fajtor Halitin për shpifje, duke theksuar se ky është një vendim i shkallës së parë.
“Do të paraqes një aktgjykim, i kam bërë padi për shpifje Enver Halitit, dhe tash kemi aktgjykim të shkallës së parë. Është shpallur fajtor për shpifje. Sepse vazhdueshëm ka propaganduar, ka shpifur për vite me radhë. Dhe unë i kam bërë padi për shpifje dhe ja ku e kemi aktgjykimin”, tha Aliu gjatë një debati në Kanal10.
Ai shtoi se ky vendim është dëshmi se kundërshtari i tij politik nuk ka argumente konkrete përveç “të pavërtetave dhe shpifjeve”.
“Sot gjatë gjithë debatit e dëshmoi se nuk ka rrugë tjetër politike, nuk ka argumente tjera politike përveç të pavërtetave dhe shpifjeve. Ky është aktgjykimi që është i fituar në Gjykatën Themelore në Ferizaj me padi”, deklaroi Aliu.