Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka marrë pjesë sonte në një darkë zyrtare në Lubjanë, të organizuar nga presidenti i Federatës së Futbollit të Sllovenisë, Radenko Mijatoviq, në prag të ndeshjes Slloveni – Kosovë.
Ngjarjen e ka bërë edhe më të veçantë pjesëmarrja e presidentit të UEFA-s, Aleksander Çeferin, me të cilin Ademi ka zhvilluar biseda të ngrohta e miqësore për zhvillimin e futbollit në dy vendet, mundësitë për bashkëpunime të reja dhe vizionin për të ardhmen e sportit.
Ademi i ka shprehur mirënjohje të veçantë Çeferinit për mbështetjen e vazhdueshme që UEFA i ka dhënë futbollit të Kosovës, duke i dhuruar një pikturë me portretin e tij si simbol respekti dhe bashkëpunimi.
“E falënderova me gjithë zemër presidentin Çeferin dhe homologun Mijatoviq për mikpritjen dhe përkrahjen që Sllovenia i ka dhënë Kosovës. Roli i UEFA-s ka qenë vendimtar në zhvillimin e futbollit tonë”, ka deklaruar Ademi.
Në përmbyllje të takimit janë shkëmbyer dhurata, ndërsa palët janë zotuar për vazhdimin e bashkëpunimit si dy vende mike, duke uruar që ndeshja e nesërme në “Stožice” të zhvillohet në një atmosferë sportive.
Postimi i plotë:
🇽🇰🤝🇸🇮 Darkë e veçantë në Lubjanë me presidentin e UEFA-s, Aleksandër Çeferin
Darkën e sotme të organizuar nga presidenti i Federatës së Futbollit të Sllovenisë, Radenko Mijatoviq, në prag të ndeshjes Slloveni – Kosovë e bëri edhe më të veçantë prania e presidentit të UEFA-s, Aleksander Çeferin.
Në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore biseduam për zhvillimin e futbollit në vendet tona, mundësitë për bashkëpunime të reja dhe vizionin për të ardhmen e sportit më të dashur në botë.
Si shenjë mirënjohjeje për mbështetjen e parezervë ndaj futbollit të Kosovës, presidentit Çeferin ia dhurova një pikturë të veçantë me imazhin e tij, që simbolizon respektin, admirimim dhe bashkëpunimin e fuqishëm që kemi ndërtuar me të dhe me UEFA-n.
E falënderova me gjithë zemër presidentin Çeferin si dhe homologun tim Mijatoviq për mikpritjen dhe mbështetjen që Sllovenia i ka dhënë Kosovës, teksa nënvizova rolin madhor të UEFA-s dhe presidentit Çeferin në përkrahjen e jashtëzakonshme që i kanë dhënë futbollit tonë në rrugën drejt zhvillimit dhe arritjes së sukseseve.
Në fund të darkës, shkëmbyem dhurata dhe u zotuam për vazhdimin e bashkëpunimit si dy vende mike, duke uruar që ndeshja e nesërme në “Stozice” të zhvillohet në një atmosferë sportive dhe të fitojë ekipi që e meriton.
#BashkëPërFutbollin






