Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, gjatë qëndrimit të tij në Washington D.C., ka zhvilluar një vizitë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në SHBA, ku u prit ngrohtësisht nga ambasadori Ilir Dugolli, shkruan Scanner.
Ademi i dhuroi ambasadorit një fanellë të Kombëtares së Kosovës si shenjë mirënjohjeje dhe bashkëpunimi institucional. Të dy diskutuan për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet institucioneve shtetërore dhe FFK-së, me synim përfaqësimin sa më dinjitoz të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe promovimin e vlerave të vendit kudo.
Ambasadori Dugolli vlerësoi punën e deritanishme të Kombëtares dhe të FFK-së, duke uruar që Dardanët të vazhdojnë paraqitjet pozitive dhe të sigurojnë kualifikimin në Kampionatin Botëror 2026. Ai i garantoi Ademit mbështetje të parezervë në këtë rrugëtim.
Postimi i plotë:
Gjatë qëndrimit tim në Washington D.C., pata kënaqësinë të vizitoj Ambasadën e Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u mirëprita ngrohtësisht nga ambasadori ynë, Ilir Dugolli.
Në shenjë mirënjohjeje dhe bashkëpunimi, i dhurova ambasadorit një fanellë të Kombëtares së Kosovës. Bashkë diskutuan për marrëdhënien e fortë që kemi ndërtuar mes institucioneve shtetërore dhe FFK-së, me synim prezantimin dinjitoz të vendit tonë dhe promovimin e vlerave tona kudo që paraqitemi.
Ambasadori Dugolli shprehu falënderimet për vizitën, duke vlerësuar shumë punën dhe rezultatet e deritanishme të Kombëtares së Kosovës. Ai uroi që Dardanët të vazhdojnë me paraqitje të mira dhe të sigurojnë kualifikimin në Kampionatin Botëror 2026, teksa na ofroi mbështetjen e tij të parezervë.
🇽🇰🇺🇸






