Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka pritur sot në takim gjeneratën e artë të FC Prishtina, duke e cilësuar këtë moment si një nga më të veçantët dhe më emocionalët.
Sipas Ademit, vizita e ish-futbollistëve që kanë bërë histori në futbollin kosovar erdhi në shenjë feste për suksesin e Kombëtares së Kosovës dhe plasmanin në “Play-Off” të Botërorit. Ai theksoi se këta futbollistë mbeten figura të pazëvendësueshme të trashëgimisë sportive në vend.
“Janë ata që kanë sakrifikuar, kanë luftuar dhe kanë mbajtur gjallë frymën e futbollit kur ishte më së vështiri. Me zemër, me pasion dhe me dinjitet e kanë ngritur këtë sport aty ku është sot”, deklaroi Ademi.
Ai shtoi se dëgjimi i rrëfimeve të tyre të mbushura me kujtime e dashuri për fanellën dhe qytetin ishte ndjenjë e veçantë, duke theksuar se kjo gjeneratë mbetet frymëzim i përhershëm për punën që bëhet sot në futbollin kosovar.
Ademi u shpreh mirënjohës për vizitën dhe për kontributin e tyre historik: “Faleminderit për gjithçka keni dhënë për fanellën, qytetin dhe vendin tonë ndër dekada. Respekt i përjetshëm për ju.”
Takimi u cilësua si një rikthim simbolik i legjendave në shtëpinë e futbollit, duke rikonfirmuar lidhjen e fortë mes historisë dhe së ardhmes së sportit në Kosovë.






