Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka përmbyllur vizitat e tij te klubet kosovare që po zhvillojnë fazën përgatitore në Turqi, duke realizuar takime me FC Ferizaj, FC Vushtrria dhe FC Dukagjini.
Gjatë këtyre vizitave, Ademi vlerësoi lart punën që po bëhet në secilin prej klubeve, duke theksuar se, pavarësisht historive të ndryshme, ato ndajnë të njëjtin qëllim: punë të palodhshme, përkushtim dhe besim në të ardhmen.
Sipas tij, në të tri klubet është vërejtur një nivel i lartë organizimi, staf teknik i fokusuar, si dhe lojtarë të motivuar dhe të etur për sukses. Stërvitjet po zhvillohen me intensitet, ndërsa përgatitjet po marrin formë gjithnjë e më serioze në prag të sfidave të ardhshme.
“Futbolli është emocion që ndërtohet ditë pas dite – në fushë, në zhveshtore dhe në zemrat e atyre që besojnë pa u dorëzuar”, ka theksuar Ademi, duke inkurajuar klubet që të vazhdojnë në të njëjtën rrugë me pasion dhe punë të ndershme.
Në fund të vizitave, kryetari i FFK-së i përgëzoi drejtuesit, stafet teknike dhe futbollistët për angazhimin e treguar, duke nënvizuar se puna e ndershme dhe përkushtimi gjithmonë gjejnë shpërblimin e tyre.
“E ardhmja ndërtohet sot”, ishte mesazhi përmbyllës i Agim Ademit. 💙⚽️






