18 C
New York
Thursday, September 4, 2025

Buy now

Agim Ademi për “Blick”: “Kosova nuk i ka marrë askujt me zor, Avdullahu vendosi me zemër”

- Advertisement -

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka dhënë një intervistë për median zvicerane “Blick”, ku ka folur për marrëdhëniet mes futbollit kosovar dhe atij zviceran, si dhe për zgjedhjen e mesfushorit të ri Leon Avdullahu, i cili vendosi të përfaqësojë Kosovën në arenën ndërkombëtare.

“Kosova dhe Zvicra janë miq, në futboll vendos loja”

I pyetur nëse Zvicra duhet të ketë frikë nga Kosova, Ademi u shpreh:

“Zvicra nuk ka pse të frikësohet, as nga unë e as nga futbolli kosovar. Ne jemi miq të mirë, dhe nga miqtë nuk ka arsye të kesh frikë. Marrëdhëniet tona me Zvicrën janë shumë të mira. Por në fund, në futboll vendos kush fiton në fushë – dhe ne të premten do të synojmë fitoren.”

Zgjedhja e Avdullahut – një vendim i zemrës

Lidhur me kalimin e Leon Avdullahut nga përfaqësuesja zvicerane te Kosova, Ademi theksoi:

“Leon ka vendosur me zemër. Ai është edhe shumë i mençur dhe e pa projektin tonë si diçka që i përshtatet. Por mbi të gjitha, ai e ka ndjerë Kosovën si shtëpinë e tij. Bisedimet me të dhe me familjen kanë zgjatur më shumë se një vit, por vendimi final ka qenë vetëm i tij. Prindërit nuk kanë ushtruar presion, e kanë lënë të lirë.”

“Asnjë faji ndaj Zvicrës, përkundrazi falënderim”

Ademi u pyet nëse ndihet keq për faktin që Zvicra investon në formimin e këtyre lojtarëve, e më pas ata zgjedhin Kosovën:

“Ne do të jemi gjithmonë falënderues ndaj Zvicrës, sepse na ka pranuar si komunitet dhe ka ndihmuar shqiptarët në shumë drejtime. Futbollistët shqiptarë e kanë ngritur futbollin zviceran në një nivel tjetër, që nga Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri. Në Superligën zvicerane shpesh luajnë pesë apo gjashtë lojtarë me origjinë shqiptare, dhe edhe në akademi ka një numër të madh. Ata zhvillohen aty, dhe ne gëzohemi kur më pas ndihmojnë edhe Kosovën.”

Projekti i ri i Kosovës – Avdullahu si lider i brezit të ri

Kryetari i FFK-së tha se Kosova ka nisur një projekt afatgjatë me futbollistë të rinj:

“Ne kemi grumbulluar shumë lojtarë të rinj nga 17 deri në 20 vjeç, që do të jenë shtylla e ekipit për dhjetë vitet e ardhshme. Synimi ynë është pjesëmarrja në Kampionatin Evropian. Leonin e shohim si lider të këtij brezi, madje mund të bëhet ‘Granit Xhaka i Kosovës’. Natyrisht, është ende i ri dhe nuk duam t’i vendosim shumë presion, por besojmë se do të zhvillohet shumë.”

Marrëdhëniet me Federatën e Zvicrës – pa konflikte

Ademi bëri të ditur se mes federatave nuk ka mosmarrëveshje: “Ne nuk u ankuam kur Andi Zeqiri apo Uran Bislimi zgjodhën Zvicrën, edhe pse më parë ishin te Kosova. Vendimet e lojtarëve duhen respektuar. Edhe kur Xhaka e Shaqiri zgjodhën Zvicrën, ne i mbështetëm dhe jemi bërë tifozë të kombëtares zvicerane. E njëjta gjë vlen edhe sot.”

Lojtarë të rinj nga diaspora

Në fund, kreu i FFK-së konfirmoi se Kosova do të vazhdojë të mbështetet te lojtarët me origjinë kosovare që jetojnë në vende të ndryshme:

“Sigurisht që diaspora në Zvicër është e madhe, prandaj duket sikur fokusohemi vetëm aty. Por kemi lojtarë edhe nga Gjermania, Franca apo Skandinavia. Dyert e Kosovës janë të hapura për të gjithë. Çdo lojtar ka mundësinë të na provojë, para se të marrë vendimin final.”

Të ngjashme

Të fundit