Agim Ademi: Humanizmi është paqe me vetveten – ndihma ndaj njerëzve në nevojë është pjesë e jetës sime

- Advertisement -

Në muajin e shenjtë të Ramazanit, predidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ishte mysafir në podcastin e humanistit Halil Kastrati, ku foli për rëndësinë e humanizmit dhe ndihmës ndaj njerëzve në nevojë gjatë një bashkëbisedimi të zhvilluar në ambientet e shtëpisë së të moshuarve të shoqatës humanitare “Jetimat e Ballkanit”.

Përtej rolit të tij në futboll, Ademi u ndal gjatë në rëndësinë e solidaritetit dhe të kontributit për shoqërinë, duke theksuar se humanizmi është një nga vlerat më të mëdha që duhet ta karakterizojë çdo njeri.

Ai theksoi se lidhja e tij me shoqatën “Jetimat e Ballkanit” është krijuar që nga ditët e para të veprimtarisë së saj dhe se për të kjo është bërë tashmë një pjesë e rëndësishme e jetës familjare.

“Çdo njeri e ka brenda vetes një anë pozitive dhe humanitare. Secili mund të ketë edhe gabimet e veta, por kjo pjesa e takimit me ju dhe përfshirja në ndihmë për njerëzit në nevojë më ka dhënë një qetësi dhe paqe me vetveten”, u shpreh Ademi.

Sipas tij, ndihma ndaj njerëzve në nevojë nuk është vetëm një akt bamirësie, por një përvojë që ndryshon mënyrën se si njeriu e sheh jetën dhe shoqërinë.

Ai tregoi se edhe në planet familjare që bën me familjen e tij, gjithmonë përfshihet edhe kontributi për bamirësi.

“Sa herë që planifikojmë diçka në familje, investimet tona apo planet e jetës, gjithmonë e kemi një pjesë të dedikuar për ndihmë. Kjo është bërë tashmë pjesë e jetës sonë familjare”, tha ai.

Ademi theksoi se momentet më të veçanta janë ato kur një familje që ka qenë në vështirësi arrin të ketë një shtëpi apo të sigurojë një jetë më të dinjitetshme.

“Kur e sheh një familje që gëzohet për një shtëpi ose kur e sheh një familje që tashmë mund ta ushqejë familjen e vet, ajo është një ndjenjë që nuk mund të përshkruhet me fjalë”, tha ai.

Në bisedë u përmend edhe tradita e bujarisë tek shqiptarët. Sipas Ademit, edhe pse populli shqiptar nuk ka qenë gjithmonë i pasur ekonomikisht, ai ka treguar gjithmonë një zemër të madhe për të ndihmuar të tjerët.

“Ne si popull nuk kemi qenë gjithmonë të pasur, por jemi bujarë. Përmes organizimeve të tilla dhe përmes solidaritetit, të gjithë kemi arritur të ndihemi më të pasur shpirtërisht dhe më krenarë”, theksoi ai.

Një pjesë e rëndësishme e bisedës u fokusua edhe në vizitat e tij në shtëpinë e të moshuarve të shoqatës, ku çdo vit organizon iftar për banorët e kësaj qendre.

Ademi e përshkroi këtë vend si një hapësirë të veçantë shpirtërore.

“Nuk është e lehtë t’i përshkruash ndjenjat kur vjen këtu. Edhe kur jam emocionalisht jo mirë, vij këtu. Ndonjëherë edhe kur kam ndonjë lutje apo një dëshirë të madhe, vij këtu sepse për mua kjo është një shtëpi e shenjtë”, u shpreh ai.

Ai shtoi se bisedat me banorët e kësaj shtëpie shpesh janë frymëzuese dhe e bëjnë njeriun të reflektojë për jetën.

“Edhe pse këta njerëz kanë kaluar vështirësi dhe ndoshta kanë mbetur vetëm, nga bisedat me ta gjithmonë mëson diçka për jetën”, tha Ademi.

Ai dha edhe një mesazh për shoqërinë dhe për rëndësinë e kujdesit ndaj të moshuarve dhe njerëzve në nevojë.

“Një shoqëri matet nga mënyra se si kujdeset për njerëzit më të dobët dhe më të vetmuar. Nuk ka gjë më të madhe se të mundesh t’i japësh lumturi një njeriu që ka nevojë për kujdes dhe dashuri”, tha Ademi.

Të ngjashme

Të fundit