1.8 C
New York
Tuesday, February 17, 2026

Buy now

Agim Ademi: 18 vite shtet, 18 vite krenari – Synojmë Botërorin 2026

- Advertisement -

Presidenti i Federata e Futbollit e Kosovës, Agim Ademi, ka uruar qytetarët me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, duke e cilësuar 17 Shkurtin 2008 si “aktin më të madh politik e kombëtar, gurthemelin e shtetësisë sonë”, raporton Scanner.

Në mesazhin e tij, ai theksoi se rrugëtimi i Kosovës drejt lirisë dhe konsolidimit ndërkombëtar ishte i gjatë dhe i mbushur me sakrifica, ndërsa këto 18 vite kanë qenë vite të ndërtimit të institucioneve, forcimit të demokracisë dhe afirmimit në arenën ndërkombëtare.

Ademi vuri në pah se paralelisht me shtetin është rritur edhe futbolli kosovar, i cili sot përbën një nga zërat më të fuqishëm të promovimit të shtetësisë së vendit. Sipas tij, gjatë këtyre viteve janë konsoliduar strukturat organizative, janë bërë investime në infrastrukturë dhe janë krijuar mundësi për talentet e reja që të përfaqësojnë Kosovën me dinjitet në arenën ndërkombëtare.
Ai theksoi se objektivi i radhës është forcimi i mëtejmë i bazave të zhvillimit, investimi në stadiume moderne, akademi dhe edukim sportiv për gjeneratat e reja.
Në fund, presidenti i FFK-së shprehu një synim madhor për këtë përvjetor: kualifikimin e Kosovës në FIFA World Cup 2026.
“Ky nuk është një mision i lehtë, por do të vazhdojmë të punojmë dhe të besojmë në këtë objektiv”, u shpreh ai.
Ademi përmbylli mesazhin me homazhe për dëshmorët e kombit dhe urimin për 18-vjetorin e Pavarësisë:
“Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit! Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj!”

Postimi i plotë:

Sot, në 18-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, kujtojmë me nderim dhe mirënjohje të thellë rrugëtimin tonë historik drejt lirisë dhe konsolidimit ndërkombëtar.
17 Shkurti 2008 mbetet akti më i madh politik e kombëtar, gurthemeli i shtetësisë, i paraprirë nga dekada sakrificash dhe përpjekjesh të pandalshme për liri e pavarësi.
Kosova ka ekzistuar ndër shekuj si truall i identitetit dhe qëndresës sonë, teksa si shtet i pavarur ka një histori të re që tashmë ka arritur nivel të pjekurisë dhe konsolidimit.
Këto 18 vite ishin vite të ndërtimit të institucioneve, forcimit të demokracisë dhe afirmimit tonë në botë. Rruga nuk ishte e lehtë, por në koordinim me aleatët u arritën objektivat madhor.
Sot, bashkë me shtetin është rritur edhe futbolli ynë, i cili është shndërruar në një nga zërat më të fuqishëm të promovimit të shtetësisë sonë.
Gjatë këtyre viteve, kemi shënuar përparim të dukshëm në shumë drejtime. Kemi konsoliduar strukturat organizative, kemi investuar në infrastrukturë dhe kemi hapur shtigje për talentet e reja që të ëndërrojnë dhe të triumfojnë nën ngjyrat e flamurit tonë. Çdo paraqitje ndërkombëtare, çdo fitore dhe çdo organizim është dëshmi e përkushtimit tonë për ta përfaqësuar Kosovën me dinjitet.
Obligimi ynë për të ardhmen është i qartë: të forcojmë bazat e zhvillimit, të investojmë në stadiume moderne, në akademi dhe në edukimin sportiv të gjeneratave të reja. Duam të frymëzojmë çdo vajzë dhe djalë që, përmes futbollit, të ndërtojë karakterin, disiplinën dhe ndjenjën e lartë të atdhedashurisë.
Në këtë ditë të bekuar, përkulemi me respekt para sakrificës së atyre që dhanë jetën për lirinë që ne gëzojmë. Sakrifica dhe trashëgimia e tyre është përgjegjësia jonë për ta bërë Kosovën më të fortë, më të drejtë dhe më të suksesshme në çdo sferë.
Në këtë 18-vjetor duam të realizojmë ëndrrën tonë të madhe: kualifikimin në Kupën e Botës 2026. Ky nuk është një mision i lehtë, por ne do të vazhdojmë të punojmë e të besojmë në këtë objektiv, me shpresë se edhe fati do të jetë krah nesh.

Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit!

Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj!

Urime 18 vjetori i Pavarësisë

#MeFutbollinPërKosovën
#18VjetShtet

Të ngjashme

Të fundit