Afaristi shqiptar në Gjermani, Shahin Dervishaj, i ka hyrë garës për deputet, në listën e PDK-së me numër 77.
“Unë vij nga mërgata – nga zemra e një komuniteti që nuk ka reshtur kurrë së dashuri, së punuari dhe së kontribuari për Kosovën. Ne jemi gjenerata që kemi provuar sfidat e largësisë, disiplinën e punës në një shtet të huaj, dhe përkushtimin e pandalshëm për vendlindjen tonë. Këtë përvojë dua ta sjell në institucionet e Kosovës: punë të ndershme, profesionalizëm, përgjegjësi dhe rezultate”, ka shkruar Dervishaj në Facebook.
Postimi i plotë i tij:
Të dashur bashkatdhetarë,
miq dhe familjarë,
Me nder dhe emocion të madh dua t’ju njoftoj se Dega e PDK-së në Baden Württemberg më ka nominuar njëzëri që të jem pjesë e listës së kandidatëve për zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë. Ky besim i dhënë nga ju dhe nga strukturat tona është një përgjegjësi që e pranoj me përulësi, por edhe me vendosmëri të plotë.
Unë vij nga mërgata – nga zemra e një komuniteti që nuk ka reshtur kurrë së dashuri, së punuari dhe së kontribuari për Kosovën. Ne jemi gjenerata që kemi provuar sfidat e largësisë, disiplinën e punës në një shtet të huaj, dhe përkushtimin e pandalshëm për vendlindjen tonë. Këtë përvojë dua ta sjell në institucionet e Kosovës: punë të ndershme, profesionalizëm, përgjegjësi dhe rezultate.
Mërgata nuk është vetëm burim ekonomik – ajo është kapital njerëzor, kulturor dhe zhvillimor që duhet të përfaqësohet denjësisht në skenën politike të vendit. Unë dua të jem zëri juaj. Zëri i çdo mërgimtari që ka dhënë shumë për Kosovën. Dua që politika të dëgjojë më shumë, të punojë më shumë dhe të mbajë fjalën.
Prandaj, kërkoj me përulësi përkrahjen tuaj – të të gjithëve, si në mërgatë ashtu edhe në vendlindje. Bashkë mund ta bëjmë Kosovën më të zhvilluar, më të drejtë dhe më afër njerëzve të saj, kudo që jetojnë.
Me respekt dhe përkushtim,
Shahin Dervishaj 77






