Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapsinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka njoftuar se fluturimi i sotëm i linjës Hamburg – Prishtinë (Flt.EW5704), për shkaqe teknike, është detyruar të aterojë në Beogrard.
“Sot, fluturimi i planifikuar nga Hamburg – Gjermani për në Prishtine nga operatori ajror ‘Eurowings’ (Flt.Nr. EW5704), i nisur nga Hamburg në ora 14:30, me 155 udhëtar ne bord, për shkaqe teknike është detyruar të aterrojë ne aeroportin ‘Nikola Tesla’ në Beograd”, ka shkruar ministri Aliu në rrjetin e tij social në Facebook.
Sipas tij, operatori ajror Eurowings, menjëherë ka organizuar dhe ka dërguar një aeroplan alternativ (Flt. Nr. EW6005) i cili ka marrë udhëtaret e mbetur në aeroportin e Beogradit, dhe në ora 22:56 ka fluturuar me udhëtarët e njëjtë për në qytetin e Köln në Gjermani, ku pritet të aterrojë rreth orës 00:45 pas mesnatës.
“Autoritetet shtetërore të Kosovës në kordinim me aeroportin e Prishtinës kemi qenë në komunikim dhe kordinim të vazhdueshëm me operatorin ajror Eurowings për sigurinë dhe mirëqenien e udhëtarëve tanë që ishin në këtë fluturim”, ka vazhduar më tej i pari i MMPHI-së.
Ai ka shtuar se fluturimi i udhëtarëve për në Kosovë do të organizohet menjëherë më tutje nga operatori ajror sipas procedurave te aplikuara në raste të tilla.
“Informata me të detajuara në lidhje me rastin do të marrim nga operatori Eurowings në ditët në vijim”, ka përfunduar Aliu njoftimin e tij