Administrata e Presidentit Donald Trump ka urdhëruar ndalimin e përkohshëm të caktimit të takimeve të reja për viza studentore dhe për vizitorë shkëmbimorë (F, M, J), teksa Departamenti i Shtetit po përgatit një program të zgjeruar për kontrollin e aplikantëve përmes rrjeteve sociale.
Sipas dokumentit, Sekretari i Shtetit Marco Rubio njoftoi se departamenti është duke zhvilluar një rishikim të plotë të procedurave të verifikimit dhe, në bazë të përfundimeve të këtij procesi, do të lëshojë udhëzime të reja për monitorimin e aktivitetit në rrjetet sociale të aplikantëve për viza.
“Departamenti është duke zhvilluar një rishikim të funksionimit aktual dhe procedurave të verifikimit të aplikantëve për viza studentore dhe vizitorë shkëmbimorë. Në bazë të këtij rishikimi, do të hartohen udhëzime për zgjerimin e kontrollit përmes rrjeteve sociale për të gjithë aplikantët,” thuhet në dokument.
Sipas udhëzimit, takimet që janë caktuar tashmë do të vijojnë normalisht, por të gjitha takimet e planifikuara do të anulohen deri në një njoftim të dytë. Urdhri gjithashtu kërkon që konsullatat amerikane të përqendrohen në ofrimin e shërbimeve për qytetarët amerikanë, përpunimin e vizave të emigracionit dhe parandalimin e mashtrimeve.
Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce, konfirmoi se SHBA do të vazhdojë të përdorë “çdo mjet të mundshëm” për të verifikuar kush po hyn në vend:
“Do të vazhdojmë të përdorim çdo instrument që kemi në dispozicion për të vlerësuar se kush po hyn në SHBA, qoftë student apo tjetër,” tha Bruce në një konferencë për shtyp.
Ky zhvillim vjen në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme të administratës Trump për të forcuar politikat e imigracionit, përfshirë deportimet dhe revokimin e vizave për ata që akuzohen për qëndrime “anti-amerikane”.