“Adidas” ka nxjerrë fotot e modeles Bella Hadid nga reklamat që promovojnë këpucët atletike, të cilat u lansuan për herë të parë gjatë Lojërave Olimpike të Mynihut të vitit 1972.
Kompania gjermane e veshjeve sportive tha se po rishikonte fushatën e saj pas kritikave nga Izraeli për mbështetjen e Hadid për Palestinën.
‘SL72’, të cilën ‘Adidas’ e përshkruan si një klasik të përjetshëm, u promovua nga Hadid, një amerikane, familja e së cilës i ka rrënjët në Palestinë.
Modelja, e cila më parë tërhoqi zemërimin e Qeverisë Izraelite për gjoja brohoritjen e sloganit “Nga lumi në det, Palestina do të jetë e lirë”, është akuzuar për antisemitizëm.
Llogaria zyrtare e Izraelit në X tha se kundërshton Hadidin si fytyrën e fushatës së ‘Adidas’ në një postim që pretendonte se njëmbëdhjetë izraelitë u vranë nga terroristët palestinezë gjatë Lojërave Olimpike të Mynihut.
Hadid ka kritikuar vazhdimisht Qeverinë Izraelite dhe ka mbështetur palestinezët gjatë viteve, dhe më 23 tetor ajo postoi në Instagram se vajton humbjen e jetëve të pafajshme, duke u kërkuar ndjekësve që të bëjnë presion ndaj udhëheqësve të tyre për të mbrojtur civilët në Gaza.
‘Adidas’ deklaroi në një prononcim se fushata për këpucët ‘SL72’ bashkon një gamë të gjerë partnerësh”. Ai tha: “Ne jemi të vetëdijshëm se janë bërë lidhje me ngjarje tragjike historike – megjithëse ato janë krejtësisht të paqëllimta – dhe kërkojmë falje për çdo shqetësim. Si rezultat, ne po rishikojmë pjesën tjetër të fushatës”.