Skuadra kampione e Kosovës në futsall, Prishtina 01, ka arritur sukses historik duke u kualifikuar në fazën “Elite Round” të Ligës së Kampionëve të futsallit, pas fitores dramatike ndaj kampionit të Kroacisë, Novo Vrijeme, me rezultat 7:6.
Ky triumf e rendit Prishtinën 01 në mesin e 16 skuadrave më të mira të Evropës, duke shënuar një tjetër arritje të rëndësishme për sportin kosovar në arenën ndërkombëtare.
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka uruar klubin për këtë arritje, duke e cilësuar si dëshmi të përkushtimit dhe karakterit të ekipit.
“Urime Prishtina 01 kualifikimi në Elite Round në Ligën e Kampionëve!
Skuadra kampione e Kosovës në futsall ka arritur fitore në përballje me kampionin e Kroacisë, Novo Vrijeme (7:6), duke e siguruar vendin e tretë dhe kualifikimin në ‘Elite Round’.
Ky sukses tregon karakterin dhe përkushtimin e kampionëve tanë dhe është një mundësi e mirë për të fituar përvojë edhe më të madhe, duke qenë në mesin e 16 skuadrave më të mira të Evropës.
Përgëzoj të gjithë lojtarët dhe stafin e FC Prishtina 01 për një paraqitje të tillë dhe për një rikthim të fuqishëm pas humbjes ndaj njërës prej top-skuadrave evropiane, Sporting Lisbonë.
Sukses e mbarësi edhe në sfidat e ardhshme!”, ka shkruar Ademi.
Kualifikimi i Prishtina 01 në “Elite Round” vjen pas një paraqitjeje të shkëlqyer në turneun paraprak, ku skuadra tregoi vendosmëri dhe nivel të lartë gare, duke konfirmuar përparimin e futsallit në Kosovë.

 
                                    




