Në vazhdën e reformimit dhe modernizimit të futbollit në Kosovë, Federata e Futbollit të Kosovës ka nisur një cikël të ri emisionesh “PodCast”, ku diskutohet për çështje aktuale, historike dhe në interes të publikut. Mysafir i episodit të parë ishte presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i cili foli për eksperiencën e tij si drejtues i futbollit kosovar.
Ai me këtë rast dha lajmin e madh se ky ‘Podcast’ i paraprin krijimit të televizionit nga FFK.
“Mirë se ju gjej dhe urime FFK-së për podcastin. Po ashtu kjo është një paradhomë para FFK TV”, tha fillimisht Ademi në Podcast me Bajram Shalën.
Ai u pyet për periudhën e tij shtatëvjeçare si president dhe e vlerësoi punën e bërë për zhvillimin e futbollit në vend. “Kam kaluar pothuajse të gjitha shkallët e futbollit: nga futbollisti, kryetar klubi, nënkryetar i federatës dhe tash kryetar. Kur u pranua Federata në UEFA dhe FIFA, na u dha mundësia të zhvillonim futbollin në standarde ndërkombëtare. Kur kam marrë drejtimin, FFK nuk kishte asnjë pronë dhe asnjë stadium të vetin”, shtoi ai.
Presidenti Ademi kujtoi historinë e federatës, duke përmendur periudhat e pavarësimit, rezistencës dhe ekzistencës, në krye me Agim Bytyqin, Rexhep Abdullahun e Sabri Hashanin, si dhe periudhën e ndërkombëtarizimit të cilës i priu legjenda Fadil Vokrri. Ai theksoi rëndësinë e punës së paraardhësve dhe dashamirëve të futbollit që e mbajtën sportin gjallë gjatë periudhave më sfiduese.
“Pa përpjekjet e tyre, nuk do të kishim arritur të pranohemi në UEFA dhe FIFA. Sot, pas investimeve dhe projekteve të shumta, Federata ka ndërtuar një infrastrukturë solide dhe pronë me vlerë rreth 46-50 milionë euro”, tha Ademi.