4.5 C
New York
Saturday, December 6, 2025

Buy now

Ademi: Planifikonim miqësore me ShBA-në, tash mund ta kemi në grup – besoj te gladiatorët tanë

- Advertisement -

 

Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ekskluzivisht nga ShBA-ja pas hedhjes së shortit për Botërorin 2026, ka folur për Info Magazine në Klan Kosova.

Ai u shpreh optimist se Dardanët do të jenë pjesë e këtij kampionati, pasi t’i kalojnë dy sfidat e fundit, atë të Sllovakisë dhe më pas fituesin e përballjes tjetër, Turqi-Rumani.

Ndër të tjera, ai tha se kanë qenë duke planifikuar një miqësore pikërisht me ShBA-në për ta falënderuar për gjithçka që ka bërë për Kosovën.

“Për neve ishte shumë e rëndësishme, dhe ishte nder për ne të jemi këtu bashkë me të gjitha ekipet që janë kualifikuar dhe do të kualifikohen. Ky short për Kosovën është nder që ne të luajmë me Amerikën sepse këtë ndeshje e kemi dashur dhe kemi qenë duke punuar që ta bëjmë si miqësore, për të falënderuar Ameriknë për gjithçka që ka bërë për neve, por ja që fati e deshi të jemi në short, të cilin edhe e kishim dashur. Pa i nënçmuar, por mendoj që gladiatorët dardanë janë në formën më të mirë të mundshme, dhe nëse nuk ka lëndime apo dënime, besojmë se do të bëjmë të mirën e mundshme që të jemi pjesë e Amerikës”.

“E rëndësishme është kjo, dy ndeshjet e radhës, me Sllovakinë dhe më pas nëse e fitojmë ndeshemi me Turqinë ose Rumaninë. Dhe sigurisht, po e kaluam këtë, në Kupën e Botës, thuajse të gjitha ekipet janë të balansuara dhe sigurisht këtu nuk ka autsajder, dhe mundet secili prej tyre që të jetë kampion i botës. Nuk përjashtohet mundësia e asnjë ekipi, pavarësisht ekipeve të forta që dihen në letër. Por kohëve të fundit, po ka ekipe të reja që po e qesin futbollin në një nivel tjetër dhe më nuk ka favoritë të mëdhenj”, u shpreh Ademi, raporton Klankosova.tv.

Ai tha se tash nuk ka ekip apo shtet në botë që nuk e njeh tashmë Kosovën si forcë në futboll.

“Edhe analistë që merren me këto çështje, thjesht më gëzoi një fjalë që e thanë shumica prej tyre, duke folur edhe me Arsene Wenger, që thotë ‘sigurisht se Kosovën nuk do ta kenë të lehtë asnjë ekip ta mposhtë, ose më mirë me thënë, në momentumin që jeni ju, sigurisht se mund ta mundni pothuajse gati secilin ekip’. Na duhet edhe pak fat, me këmbë në tokë t’i kalojmë këto dy ndeshje që i kemi dhe sigurisht po punojmë në të gjitha frontet”, deklaroi kreu i FFK-së.

Për pjesëmarrjen e delegacionit të Kosovës në hedhjen e shortit për Kupën e Botës, Ademi tha se ishte një ngjarje e tjetër niveli, në krahasim me ngjarjet e mëparshme.

“Sigurisht që kjo ngjarje e hedhjes së shortit ishte në nivel tjetër, me faktin se u mbajt në ShBA në Qendrën Kennedy, fantastike si objekt dhe organizim. Hapjen e bënë Presidenti Trump, kryetarja e Meksikës dhe kryeministri i Kanadasë, e hapën shortin, bashkë me Infantinon i cili ishte edhe moderator”, potencoi Agim Ademi, kryetar i FFK-së. /Klankosova.tv

 

 

Të ngjashme

Të fundit