Kreu i Federata e Futbollit e Kosovës, Agim Ademi, ka marrë pjesë sonte në një iftar të organizuar nga humanisti Halil Kastrati në Shtëpinë e të Moshuarve dhe në Shtëpinë e Popullit.
Ademi bëri të ditur se në këtë iftar morën pjesë përfaqësues të FFK-së, Gjenerata e Artë dhe tifozët “Dardanët”, ndërsa mbrëmja u karakterizua nga emocione dhe një atmosferë e veçantë solidariteti.
Ai falënderoi Kastratin për mikpritjen dhe për fjalimin rreth rrugëtimit të shoqatës Jetimat e Ballkanit, duke theksuar se ndihet krenar që është pjesë e kësaj nisme humanitare.
Sipas Ademit, mbi 300 mijë shqiptarë donatorë janë bashkuar rreth kësaj shoqate, duke mundësuar realizimin e projekteve të mëdha humanitare për familjet dhe personat në nevojë.
Ai shprehu gjithashtu mirënjohje për të gjithë donatorët, duke theksuar se kontributi i tyre po ndihmon shumë njerëz në nevojë.
Postimi i plotë:
Sonte në iftar, së bashku me përfaqësues të FFK-së, Gjeneratën e Artë dhe Dardanët, ishim mysafirë të Hoxhë Halil Kastratit në Shtëpinë e të Moshuarve dhe në Shtëpinë e Popullit.
Në këtë muaj të rahmetit patëm nderin të ndajmë iftarin së bashku me Hoxhë Halilin, stafin dhe banorët e kësaj shtëpie. Ishte një mbrëmje shumë domethënëse dhe plot emocione.
Falënderoj Hoxhë Halil Kastratin për mikpritjen dhe për fjalimin emocionues rreth rrugëtimit të Shoqatës “Jetimat e Ballkanit”. U ndjeva shumë krenar si pjesë e kësaj shoqate, por edhe i sigurt për njerëzit tanë në nevojë, të cilët janë nën kujdesin e një humanisti të palodhur që me përkushtim të madh i shërben këtij segmenti kaq të rëndësishëm të shoqërisë sonë.
Mirënjohje e përhershme për Hoxhë Halil Kastratin që ka bashkuar mbi 300 mijë shqiptarë donatorë, falë të cilëve po realizohen projekte të mëdha humanitare.
Krenar dhe shpirtërisht i përmbushur që kam mundësinë të kontribuoj në vepra të mira dhe humanitare së bashku me të gjithë donatorët, nën udhëheqjen e Hoxhë Halil Kastratit.
Donatorë, Zoti ju shpërbleftë!





