Federata e Futbollit e Kosovës organizoi ceremoninë e saj tradicionale “Laureatët 2024”, ku u ndanë çmimet prestigjioze për arritjet e jashtëzakonshme gjatë vitit që po e lëmë pas. Në këtë ngjarje madhështore, personalitete të shquara nga fusha e sportit dhe institucione të ndryshme nderuan më të dalluarit e vitit me pjesëmarrjen e tyre për kontributin e tyre në zhvillimin e futbollit.
Të pranishëm në ceremoni ishin zv/ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, nënkryetari i FSHF-së, Lutfi Nuri, sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, ish-kryetari i FFK-së, Sabri Hashani, përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, dhe figura të tjera të shquara.
Pika kulmore e mbrëmjes ishte ndarja e çmimeve kryesore, “Lojtari i Vitit” dhe “Çmimi Fadil Vokrri”, të cilat shkuan për Lindon Emërllahun e FC Ballkanit dhe yllin e skuadrës franceze, Lillë, Edon Zhegrova, të dy pjesë e Kombëtares së Kosovës.
Zhegrova, i cili ka shkëlqyer në skuadrën franceze gjatë këtij viti u shpreh i lumtur që është fitues i çmimit ‘Fadil Vokrri’. “Ndihem shumë i lumtur për çmimin e po ashtu që e mban emrin e legjendës Fadil Vokrri. Shpresoj se viti 2025 do të jetë edhe më i suksesshëm. Shpresoj të arrijmë qëllimet me Kosovën dhe me klubin. Me Kosovën shpresoj të arrijmë synimet bashkë me trajnerin Franco Foda dhe bashkëlojtarët”, ka thënë Zhegrova.
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, mbajti një fjalim frymëzues, duke rikujtuar sfidat dhe arritjet e futbollit në Kosovë dhe kontributin e gjithë atyre që kanë punuar për zhvillimin e tij.
“Futbolli në Kosovë ka një traditë mbi 100-vjeçare, por si federatë jemi vetëm tetë vjeç. Megjithatë, në këtë periudhë të shkurtër kemi arritur suksese të jashtëzakonshme. Këto arritje janë fryt i punës së palodhshme të futbollistëve, trajnerëve, klubeve, institucioneve dhe mediave”, tha Ademi.
Ai gjithashtu nderoi të gjithë ata që kontribuuan në futbollin kosovar në të gjitha fazat, duke kërkuar një duartrokitje një minutëshe për ta.
Zv/ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, vlerësoi bashkëpunimin me FFK-në dhe planet ambicioze për ndërtimin e infrastrukturës së sportit. “Prej vitit të kaluar kemi nisur një projekt të madh me 18 komuna, për ndërtimin e mbi 20 stadiumeve deri në vitin 2027. Ky projekt synon ta bëjë Kosovën lidere në rajon në aspektin e infrastrukturës së futbollit”, theksoi Osmani.
Ceremonia u pasurua me performanca artistike, duke kulmuar me këngëtaren e mirënjohur Shkurte Fejza, e cila ndezi atmosferën me interpretimet e saj të paharrueshme të këngëve si “Mora fjalë”, “Xhamadani vija-vija” dhe “E kam emrin kosovar”.
Çmimet kryesore “Laureatët e Vitit 2024”
- Shpresa e Vitit 2024 (Vajzat): Erëza Gashi (KFF 16 Qershori)
- Klubi më i mirë 2024 (Vajzat): KFF Mitrovica
- Futbollistja më e mirë 2024 (Vajzat): Albulena Fejza
- Klubi më i mirë 2024 (Futsall): FC Prishtina 01
- Lojtari më i mirë 2024 (Futsall): Drilon Maxharraj
- Çmimi për arritje ndërkombëtare: FC 2 Korriku U19
- Gjyqtari më i mirë 2024: Visar Kastrati
- Klubi më Fair Play 2024: FC Drita
- Klubi më i mirë 2024: FC Ballkani
- Trajneri i vitit 2024: Ilir Daja
- Golashënuesi më i mirë 2024: Drilon Hazrollaj
- Çmimi “Fadil Vokrri”: Edon Zhegrova
- Futbollisti i Vitit 2024: Lindon Emërllahu
TOP 11-shja e vitit:
- Faton Maloku – FC “Drita”
- Besnik Krasniqi – FC “Drita”
- Ilir Krasniqi – KF “Llapi”
- Lumbardh Dellova – FC “Ballkani”
- Arlind Veliu – FC “Malisheva”
- Drilon Hazrollaj – FC “Malisheva”
- Lindron Emërllahu – FC “Ballkani”
- Albert Dabiqaj – FC “Drita”
- Almir Ajzeraj – FC “Drita”
- Muhamet Hyseni – KF “Llapi”
- Mevlan Zeka – FC “Suhareka”
Mirënjohje të veçanta
- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit
- Muamed Sejdini (FFM)
- Policia e Kosovës
- Komuna e Prishtinës
- Veteranët – Gjenerata e Sakrificës
- Dardanët
- UKSHFZ – Feti Demolli
- FFSHGJ – Ruzhdi Statovci
- Kombëtarja e të Amputuarëve
- Kombëtarja e të Verbërve
Mirënjohjet për partnerët
- TEB
- Raiffeisen Bank
- Albi Mall
- BPB
- Emerald
- KEDS
- Bon Voyage
- Mokne
- Art Motion
- HIB
- Link Plus
- Errea