24.7 C
New York
Monday, July 7, 2025

Buy now

 Ademi: 35 vjet pa RTP-në, zëri dhe ekrani që promovoi rritjen e futbollit

- Advertisement -

Nga Agim Ademi

Në verën e vitit 1990, kur bota ishte e përqendruar në Kupën e Botës në futboll që po zhvillohej në Itali, në Kosovë ndodhi një nga aktet më të rënda ndaj informimit dhe identitetit tonë.

Radiotelevizioni i Prishtinës (RTP), u mbyll me dhunë nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviqit në kuadër të instalimit të masave të dhunshme në çdo institucion të asaj kohe në Kosovë, duke vendosur terr informativ mbi një popull të tërë që tashmë përballej me shtypje sistematike.

Na u mor e vetmja dritare ku informoheshim, argëtoheshim, e ku ndiqnim ngjarjet sportive që i prisnim me padurim. Por më shumë se kaq, ishte një përpjekje për të na zhdukur nga ekrani, nga eteri dhe nga kujtesa.

RTP nuk ishte thjesht një medium, ishte pjesë e jetës së përditshme. Në veçanti për futbollin, RTP luajti rol të jashtëzakonshëm në zhvillimin dhe promovimin e tij në Kosovë. Zërat e komentatorëve si Veli Vraniqi, Gani Ajeti, Osman Disha, Kemajl Çarkaxhiu, Hamit Krasniqi, Fatmir Bujupi, Agim Kasapolli (në TV), e Azem Brovina, Agim Binaku, Gani Kosumi, Lulzim Shala (në radio) por edhe shumë të tjerë, ishin më shumë se informim. Ata ishin emocioni e lidhja jonë me sportin dhe botën. Zëri i tyre shoqëronte çdo garë, çdo fitore apo sfidë të sportistëve tanë në Kosovë, Evropë e më gjerë.

Mbyllja e RTP-së më 1990 nuk mundi ta shuante zërin e Kosovës. Përkundrazi, ajo shënoi fillimin e një rezistence të re, të heshtur për një kohë, por të zëshme më vonë. Pas luftës, në ndërtesën e njëjtë, lindi Radiotelevizioni i Kosovës (RTK), duke trashëguar misionin dhe vlerat e RTP-së, por në kushte të lirisë dhe shtetësisë, e më pas edhe shumë radio e televizione, që po e vazhdojnë misionin e promovimit të sportit dhe futbollit në veçanti.

Sot, 35 vjet më pas, kujtojmë me nder të gjithë ata që e bënë RTP-në një emblemë të rezistencës kulturore dhe profesionale. Kujtojmë gazetarinë e guximshme, redaktorët, komentatorët e pasionuar dhe teknikët e përkushtuar që e mbajtën gjallë zërin e Kosovës edhe kur ishte më së vështiri.

Të ngjashme

Të fundit