Ilahisti Adem Ramadani ka bërë të ditur se projekti i tij më i ri “Lutja për prindërit”, i lansuar javë më parë, është pritur maksimalisht mirë nga besimtarët.
Ajo ka marrë miliona klikime prej kur është publikuar në Youtube. Në një postim në Facebook, ai ka bërë të ditur se ky projekt është ideuar, sponsoruar dhe mbështetur nga familja Devolli, të cilën e ka falënderuar jashtëzakonisht shumë për besimin që ia ka dhënë në realizimin e tij.
“Për sa kohë që do të dëgjohet kjo ilahi e të përkujtohen njerëzit për vlerën dhe bamirësinë ndaj prindërve, për rrespektin maksimal duke qenë ata gjallë dhe përkujtimin e tyre me lutje e sadaka edhe pas vdekjes, shpresoj të keni shpërblim te Allahu ju, prindërit e tuaj dhe prindërit e gjithë besimtarëve qofshin ata të gjallë apo të vdekur. Amin”, ka shkruar Ramadani.
“Allahu ju shpërbleftë për këtë vepër që e keni bërë për prindërit duke treguar praktikisht se si respektohen dhe nderohen prindërit edhe pas vdekjes” ka vazhduar ai.
Ilahia ka një tekst të jashtëzakonshëm që i kushtohet prindërve, duke përmendur edhe telashet që patën ata për të rritur fëmijët e tyre.
“Me shumë hjeka babë na rrite, asnjëherë me u lodh nuk dite. Çdo pikë djerse që tka ra, t’u baftë dritë babe, në atë dunja”, thuhet ndër tjera, në këtë këngë me motive e melodi fetare.
Me një tekst pothuajse të ngjashëm, Ramadani i përshkruan edhe problemet e nënave për të rritur fëmijët e tyre.
“Edhe nëse Zoti tkish dhanë ymër 1000 vjet, edhe ditë e nat pa ndal moj nanë me të ba hyzmet, asnjëherë jo s’kisha mujt hakut me të dal, vec inshalla nanë ti ma ke ba hallall”, thotë nje pjesë tjetër e ilahisë. Po ashtu, në të bëhet dua si për njërin, ashtu edhe për tjetrin prind. “Për ty babë e thirra Zotin, me krejt emmrat e rahmetit, me t’i hap dyert e xhenetit”, thotë një varg që i kushtohet babës. Për nënën, teksti është edhe më i fuqishëm. “Ngrita duart, fshiva lotin, për ty nanë e luta zotin, me krejt emrat e rahmetit, me t’i hap dyert e xhenetit. Me shumë hjeka nanë na rrite, asnjëherë me u lodh nuk dite, çdo pikë djerse që të ka ra, t’u baftë lule në atë dunja”.
Adem Ramadani konsiderohet si njëri nga ilahistët më të mirë në trojet shqiptare. Linku për ta parë, dëgjuar e shijuar ilahinë “Lutja për prindërit” është ky.