Iljasa Fazliu, logopedi nga Gjilani, që dëgjohej teksa ofendonte e abuzonte 5-vjeçaren me autizëm, do të ketë një përballje me drejtësinë.
Fillimisht ndaj tij do të caktohet masa e sigurisë, e për të cilën Prokuroria e Gjilanit ka kërkuar atë të paraburgimit.
Logopedi Fazliu dyshohet se ka kryer veprën penale “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”. E këto vepra penale, sipas Kodit Penal të Kosovës, parashohin edhe dënim me burg.
“Mjeku, stomatologu ose punonjësi tjetër shëndetësor, i cili me rastin e dhënies së shërbimeve të kujdesit shëndetësor, përdor haptas një mjet apo metodë të papërshtatshme të mjekimit ose në ndonjë mënyrë tjetër haptazi nuk i zbaton rregullat e profesionit të kujdesit shëndetësor ose haptazi vepron në mënyrë të pakujdesshme, duke shkaktuar kështu keqësimin e sëmundjes ose dëmtimin shëndetësor të personit tjetër, dënohet me burgim me jo më shumë se një (1) vit”, thuhet në Kodin Penal.
“Nëse si rezultat i veprës penale nga paragrafi 1 i këtij neni, një person tjetër pëson një lëndim të rëndë trupor ose sëmundja ekzistuese përkeqësohet ndjeshëm, kryesi dënohet me burgim me jo më shumë se tre (3) vjet”, thuhet në Kodin Penal.